Ish-menaxheri i fushatës së Donald Trump-it, Bill Stepien, u tërhoq papritur nga seanca dëgjimore e së hënës para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve që heton trazirat e 6 janarit në Kapitol.
Komisioni ishte lajmëruar mëngjesin e së hënës se bashkëshortja e zotit Stephien ishte në lindje, sipas një individi të informuar për çështjen, i cili foli në kushte anonimiteti para fillimit të seancës.
Zoti Stepien pritej të ishte një dëshmitar i rëndësishëm për komisionin që po heton në detaje atë që e quan "gënjeshtra e madhe", pretendimet e rreme të presidentit republikan për mashtrime në votime, që ushqyen përpjekjet e tij ngulmuese për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020 dhe nxitën një turmë mbështetësish të tij të shkaktonte trazira në Kongresin amerikan.
Një aleat i kahershëm i zotit Trump, zoti Stepien ishte thirrur të paraqitej në seancën dëgjimore dhe nuk dihet nëse ai do të bashkëpunonte me komisionin.
Komisioni tha se avokati i zotit Stepien do të paraqitej për të bërë një deklaratë, ndërsa shtyu orarin e fillimit të senacës. Ligjvënësit dhe stafi po përpiqen të bëjnë ndryshimet e duhura.
Në seancën e së hënës do të ketë disa dëshmitarë, përfshirë një prokuror i cili dha dorëheqjen papritur ndërsa zoti Trump ushtronte trysni ndaj zyrtarëve shtetërorë të Xhorxhias për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve në atë shtet.
Anëtarët e komisionit thonë se kanë gjetur prova të mjaftueshme për Departamentin e Drejtësisë që të shqyrtojë mundësinë e një padie penale të paprecedentë kundër ish-presidentit.
Kryetari Bennie Thompson, demokrat nga Misisipi dhe nënkryetarja Liz Cheney, republikane e shtetit Uajoming, do të drejtojnë senacën e mëngjesit. Seanca e parë publike, që u mbajt javën e kaluar, u ndoq në televizion nga rreth 20 milionë amerikanë.
Gjatë vitit të kaluar, komisioni ka hetuar sulmin më të dhunshëm në Kapitol që nga Lufta e vitit 1812, për t’u siguruar që një veprim i tillë të mos përsëritet më kurrë.
Ligjvënësit shpresojnë të vërtetojnë se përpjekja e zotit Trump për të përmbysur fitoren e zgjedhjeve nga zoti Biden përbënte një kërcënim të madh për demokracinë.
Sipas një dokumenti të lëshuar nga komisioni vjeshtën e kaluar, zoti Stepien i cili vazhdon të ketë lidhje të ngushta me ish-Presidentin Trump, mbikqyri “tjetërsimin” e fushatës presidenciale të zotit Trump në një përpjekje për “Ndalimin e Vjedhjes”, (të votave që ai pretendonte se ishin manipuluar).
Aktualisht, zoti Stepien është këshilltar i rëndësishëm i fushatës së kandidates për Dhomën e Përfaqësuesve të mbështetur nga zoti Trump, Harriet Hageman, e cila po sfidon ligjvënësen Cheney në zgjedhjet paraprake brenda kampit republikan në shtetin Uajoming.
Zëdhënësi i zotit Trump, Taylor Budowich, tha të dielën se vendimi i komisionit për të thirrur zotin Stepien për të dëshmuar kishte prapavija politike.