Lidhje

Hetuesit e Kongresit: Trumpi komplotoi "grusht shteti"


Pas më shumë se një vit hetimesh, Komisioni i 6 Janarit mbajti seancën e tij të parë publike të enjten mbrëma, duke argumentuar para popullit amerikan, se ish-presidenti Donald Trump i udhëzoi ndjekësit e tij të sulmonin Kapitolin, si pjesë e një komploti për të qëndruar në pushtet. Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Kongresit, Katherine Gypson, njofton:

Hetuesit e Kongresit: Trumpi komplotoi "grusht shteti"
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:28 0:00

Me video dramatike dhe të pashfaqura më parë...dëshminë e një regjisori dokumentarësh dhe një oficereje të policisë së Kapitolit, e cila pësoi një dëmtim traumatik të trurit … gjashtë ligjvënës demokratë dhe dy republikanë bënë publike për herë të parë, hetimin e tyre njëvjeçar mbi ngjarjet e 6 janarit 2021 në Kapitol.

“Ishin armiqtë e brendshëm të Kushtetutës, që sulmuan Kapitolin dhe pushtuan Kapitolin, që kërkuan të pengonin vullnetin e popullit, duke synuar të ndalonin transferimin e pushtetit. Ata e bënë këtë me inkurajimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara. Presidenti i Shteteve të Bashkuara u përpoq të ndalonte transferimin e pushtetit, një standard i krijuar para 220 vjetësh”, tha ligjvënësi demokrat Bennie Thompson.

Ndaj ish presidentit Trump u ngritën akuza në janar 2021 për nxitjen e trazirave, vetëm një javë para se ai të largohej nga Shtëpia e Bardhë. Ligjvënësit, që drejtojnë këtë hetim të Kongresit, ku përfshihen qindra intervista dhe mijëra dokumente, thanë se do të shkojnë edhe më tej, duke argumentuar, se ish presidenti Trump planifikoi dhe ekzekutoi një grusht shteti të dhunshëm për të mbajtur presidencën.

“Presidenti Trump thirri turmën, mblodhi turmën dhe ndezi shkëndijën e këtij sulmi. Gjatë dëshmive do të dëgjoni gjithashtu rreth planeve për të kryer një komplot më 6 janar, një krim i përcaktuar në ligjet tona, si komplot për të përmbysur, rrëzuar, ose shkatërruar me forcë qeverinë e Shteteve të Bashkuara”, tha ligjvënëvesja republikane Liz Cheney.

Seanca e parë u përqëndrua tek grupet ekstremiste Proud Boys dhe Oathkeepers me individë që janë akuzuar për komplotim për organizimin e kryengritjes në lidhje me sulmin e 6 janarit. Regjisori Nick Quested dëshmoi për filmimin e këtyre grupeve atë ditë.

“Unë dokumentova kthimin e turmës nga protestues, në rebelë e më pas në kryengritës. U befasova nga madhësia e grupit, zemërimi dhe gjuha e përdorur”.

Të gjithë ligjvenësit republikanë, me përjashtim të vetëm disave, kanë pohuar tashmë, se rezultatet e hetimit janë të paligjshme.

“Është komisioni më politik dhe më pak legjitim në historinë amerikane. Ai ka përdorur fletëthirrjet për të sulmuar republikanët, për të shkelur procesin e duhur dhe për të cenuar të drejtën e fjalimit politik të qytetarëve privatë”.

Por në katër seanca të tjera dëgjimore gjatë këtij muaji, hetuesit e komisionit thanë se do të vërtetojnë se ish presidenti Trump bëri një përpjekje të koordinuar, me shumë hapa për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve. Me zgjedhjet për në Kongres, që zhvillohen pas disa muajsh, nëntor, këto seanca marrin një rëndësi të veçantë.

“Ishte një shkelje e qartë, flagrante e Kushtetutës. Mendoj se këta burra dhe gra shkelën ligjin, u përpoqën të përmbysnin rezultatin e zgjedhjeve”, tha presidenti Joe Biden.

Komisioni i 6 janarit nuk ka asnjë fuqi ligjore, por mund të rekomandojë ndjekje penale nga Departamenti i Drejtësisë. Deri më tani, më shumë se 725 persona janë arrestuar për veprimet e tyre atë ditë.

XS
SM
MD
LG