Tubime në mbarë Shtetet e Bashkuara për shtrëngimin e ligjeve për armëmbajtjen

Mijëra njerëz u mblodhën në parkun kombëtar të kryeqytetit amerikan dhe në mbarë Shtetet e Bashkuara të shtunën, duke ripërtërirë kërkesat për shtrëngimin e rregullave të armëmbajtjes pas vrasjeve masive në Uvalde të Teksasit dhe Buffalo të Nju Jorkut. Aktivistët thonë se këto vrasje duhet të jenë shtysë që Kongresi të veprojë.


“Mjaft është mjaft”, tha kryebashkiakia e qytetit të Uashingtonit, Muriel Bowser, në tubimin e dytë “Marshim për Jetët Tona” . “Flas si kryebashkiake, si nënë dhe flas në emër të miliona amerikanëve dhe kryebashkiakëve të Amerikës që kërkojnë që Kongresi të bëjë punën e tij. Dhe detyra e tij është të na mbrojë ne, të mbrojë fëmijët tanë nga dhuna me armë.”


Folësit, në tubimin e organizuar në kryeqyetin amerikan, u bënë thirrje senatorëve që shihen si pengesë për miratimin e një ligji për armëmbajtjen, që të veprojnë ose do të humbasin përkrahjen e votuesve, duke patur parasyshë tronditjen e ndërgjegjes së vendit pas vrasjes së 19 fëmijëve dhe dy mësueseve me 31 maj në një shkollë fillore në Teksas.


Presidenti Biden u dërgoi protestuesve një mesazh nga Kalifornia për të vazhduar marshimin. Tubime të ngjashme u mbajtën në disa qytete amerikane.