Ligjvënësit amerikanë po përpiqen të arrijnë një marrëveshje lidhur me rregullat e armëmbajtjes pas vrasjeve të muajit të kaluar që lanë 21 të vdekur në një shkollë fillore në Teksas. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, demokratët po përpiqen ta mbajnë vëmendjen të përqendruar tek kjo çështje, ndërsa dëgjuan rrëfimet e disa prej të mbijetuarve nga tragjedia në qytetin Uvalde të Teksasist.
Dy javë pasi 19 fëmijë dhe dy mësues u vranë në një sulm me armë në Uvalde të Teksasit, ligjvënësit amerikanë dëgjuan rrëfimet e prindërve të viktimave.
“E dërgova vajzën në atë shkollë, një vendim që do të më ndjekë gjithë jetën”, thotë Kimberly Rubio, e cila humbi vajzën në tragjedinë e Teksasit.
Nxënësja Miah Cerrillo është një nga të mbijetuarit.
“Ai qëlloi shoqen time që ishte pranë meje. Mendova se do të kthehej përsëri ndaj lyeva veten me gjakun e saj ”.
Ditë më parë demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve përkujtuan viktimat e dhunës me armë para se të miratonin një seri masash për kontrollin e armëve.
“Në vitin 2019, Shtetet e Bashkuara kishin 17 herë më shumë vdekje nga armët se sa vendi i dytë i grupit të G-7. Ne kryesojmë për vasjet masive. Vendet e tjera miratojnë ligje të arsyeshme për armëmbajtjen dhe mbrojnë fëmijët e tyre. Asnjë vend tjetër nuk na afrohet për sa i përket numrit të vrasjeve me armë nëpër shkolla”, tha ligjvënësja demokrate Carolyn Maloney.
Por mbështetësit e së drejtës kushtetuese për armëmbajten argumentojë se propozimet e përgjithshme për kontrollin e armëve, si kufizimi i numrit të fishekëve që mban një armë, nuk do të sjellin ndryshime.
“Karikatoret blihen për qëllime të ligjshme nga qytetarë që respektojnë ligjin. Disa studime të detajuara, lidhur me kufizimin e fishekëve që mban një karikator me qëllim uljen e shkallës së dhunës me armë, nuk tregojnë se ka sukses. Kushtet në të cilat ndodhin vrasjet masive e bëjnë kufizimin e karikatoreve të padobishëm për shpëtimin e jetëve”, thotë Amy Swearer me Fondacionin Heritage.
Armëmbajtja është një nga debatet kryesore në Shtetet e Bashkuara. Anktetat tregojnë se shumica e amerikanëve mbështesin shumicën e këtyre masave. Ligjvënësit republikanë argumentojnë se shtimi i sigurisë në shkolla dhe trajnimi për sigurinë e armëve do të shpëtojë më shumë jetë.
“Armëmbajtësit amerikanë që respektojnë ligjin kanë një rol të rëndësishëm për të mbrojtur veten, familjet dhe komunitetin e tyre. Amendamenti i dytë i kushtetutës luan një rol të rëndësishëm për të drejtat individuale për vetëmbrojtje”, tha ligjvënësi republikan James Comer.
Për të miratuar ndryshimet në Senat, demokratët duhet të arrijnë një marrëveshje me republikanët të cilët mbështesin fuqishëm Shoqatën Kombëtare të Armëve dhe grupe të tjera për të drejtat e armëve.
“Jemi përballë thirrjeve nga të gjitha anët, grupet për sigurinë e armëve dhe popullit amerikan për të bërë diçka të nevojshme (për armëmbajtjen) edhe nëse nuk është gjithçka që shumë prej nesh dëshirojmë”, tha udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer.
Nëse miratohet në Senat, mes të tjerash masa do të rriste nga 18 në 21 vjeç moshën për të zotëruar një armë modelit AR-15, e njëta armë që përdori 18-vjeçari që sulmoi shkollën në Teksas.