Në Shqipëri, përfaqësuesit e grupeve parlamentare të socialistëve dhe demokratëve ranë sot dakord që në dy raundet e ardhshme për zgjedhjen e presidentit, kandidaturat të propozohen nga opozita. Vendimi u mor gjatë një takimi ku morën pjesë dhe grupet e tjera parlamentare të së djathtës. Por, Partia Demokratike e kontrolluar nga ish kryeministri Sali Berisha, e cilësoi si tallje dakortësinë e sotme mes palëve, duke ritheksuar se sipas saj zoti Alibeaj nuk ka tagër për të përfaqësuar këtë forcë politike.
Your browser doesn’t support HTML5
Takimi i sotëm, siç ishte dakortësuar dhe një ditë më parë, nisi me diskutimin e dokumentit të propozuar nga kreu i grupit parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj. Në thelb ai parashikon një tërësi kriteresh që duhet të përmbushë kandidati për president si dhe kërkesën që opozita të ofronte 4 emra, mes të cilëve shumica do të duhej të zgjidhte kreun e ri të shtetit.
Lexoni edhe këtë Shqipëri, opozita me variante të ndryshme për zgjedhjen e presidentit, nesër takimi mes socialistëve dhe Alibeajt“Do të krijosh një proces ku presidenti i Republikës të mos jetë produkt lojërash, prapaskenash, apo kërcënimesh për faktin se kam 4 dhe 5 në xhep, bëj si të duash? Prano këtë gjë: raundin e 4-ët dhe të 5-të ju nuk i eksploroni, që do të thotë se deri te raundi i tretë duhet të kemi domosdoshmërisht presidentin e Republikës. Kjo e garanton procesin".
Ashtu si dhe një ditë më parë, zoti Alibeaj nuk ishte në një pozitë të favorshme, me përfaqësuesit e tjerë të opozitës që kishin një qasje të ndryshme nga ai. “Për sa kohë jemi duke bërë politikë këtu, nuk besoj se kemi mundësinë që të sjellim një produkt real para shqiptarëve. Ndaj sa më shpejt, ne të futemi në një proces real”, u shpreh Mesila Doda, e grupit parlamentar “Demokraci dhe Integrim”.
Ndërsa për zotin Fatmir Mediu, opozita duhet të gjejë më parë dakortësinë brenda saj dhe të propozojë kandidaturat e veta: “Nëse ulemi me njëri-tjetrin, themi kemi dy apo tre kandidatura. Dhe ja propozojmë shumicën. Nëse shumica nuk pranon kandidatura me autoritet, që përfaqësojnë denjësisht institucionin e presidentit të Republikës, përgjegjësia morale dhe përballë opinionit publik është e tyre. Transparenca dhe marrëdhënia me opinionin publik është e jona”.
Socialistët, siç e kishin bërë të qartë dhe më parë, nuk pranuan as sot që ata të përjashtohen nga e drejta e propozimit. Ndërsa zoti Alibeaj kishte mbetur pa përfaqësuesit e grupeve të tjera të së djathtës që ndërkohë ishin larguar, kreu i grupit socialist Taulant Balla bëri një propozim alternativ: “Deri në raundin e tretë, propozimet i keni ju. Ne nuk po propozojmë deri në raundin e tretë. Pranohet dokumenti juaj deri në raundin e tretë. Raundin e katërt e ka thënë kushtetuta se si zgjidhet. Biem dakort?”
Përgjigja e zotit Alibeaj ishte: “Po, por ki parasysh dhe një gjë. Çdo shkelje e këtyre rregullave, siç e ke lexuar në dokument, është shkelje e marrëveshjes. Dakort? Ok, u vendos”.
Dakortësia e zotit Alibeaj hap një kapitull të ri pikëpyetjesh për të. Grupi parlamentar është i ndarë në tre fraksione. Deputetët që mbështesin ish kryeministrin Sali Berisha, i cili kontrollon tani Partinë Demokratike edhe sot përsëritën se ai nuk ka tagër për vendime të tilla. “Zoti Alibeaj me bashkëshoqëruesit e tij nuk ka asnjë lloj mandate të dhënë nga PD apo grupi parlamentar”, deklaroi nga selia e partisë Luçiano Boçi.
Një grup tjetër deputetësh demokratë kanë preferuar të qëndrojnë në heshtje në përplasjet e brendshme. Zoti Alibeaj deri tani rezulton që të ketë mbështetjen e 21 deputetëve të tjerë. Mbetet për t’u parë, se si do të veprohet për të shkuar te propozimi i kandidaturave për presidentin e vendit.