Në Shqipëri, raundi i dytë i votimit për presidentin e ri do të zhvillohet të hënën e ardhshme, ndërsa forcat politike ende nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët për gjetjen e një figure konsensuale. Edhe sot në konferencën e kryetarëve, kur u duk se mes shumicës dhe demokratëve po bihej dakort për të biseduar, momenti për t’u ulur së bashku i ndau sërish palët. Pas një tjetër takimi të zhvilluar pasdite, kreu i grupit socialist Taulat Balla dhe ai demokrat Enkelejd Alibeaj, ranë dakort që nesër të bisedojne rreth propozimit të kryetarit të grupit të PD-së.
Pas dështimit të djeshëm për votimin e parë mbi zgjedhjen e presidentit tw ri, Konferenca e kyetarëve u mblodh sot për të caktuar datën e raundit të dytë dhe afatet për paraqitjen e kandidaturave.
Por siç kishte ndodhur dhe më parë, palët u përfshinë në diskutime për mënyrën se si do të mund të ecej drejt një figure konsensuale. Dhe dallimet nuk janë vetëm mes shumicës dhe opozitës. Kjo e fundit, reflektoi edhe sot, nga njëra anë, përçarjen në gjirin e deputetëve demokratë, ku jo të gjithë e njohin zotin Alibeaj si drejtues të grupit, e nga ana tjetër, qëndrimet e ndryshme që kanë dhe me aleatët e tyre.
Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj, këmbënguli në dokumentin që ai u ka dërguar grupeve të tjera me kriteret, që do të duhet të përmbushin kandidatët, përfshirë propozimin që e drejta e ofrimit të emrave t’i lihet opozitës. “Duhet të ketë një shprehje qëndrimi për qëndrimin tonë nga ana e shumicës. E thjeshtë. Doni ju të krijoni një proces? Ne folëm me disa rregulla. Ua kemi bërë me dije, juve dhe gjithë kolegëve të grupeve parlamentare. Po ose jo!”, theksoi zoti Alibeaj.
Por ndryshe mendon aleati i tij Fatmir Mediu, sipas të cilit opozita duhet të propozojë emrat e saj. “Më tepër se sa diskutimi i këtyre çështjeve, kriteret personifikohen gjerësisht të njeriu që do të propozojmë. Prandaj nuk duhet të humbasim kohë me debate të përgjithshme, por të kemi një diskutim me të gjthë deputetët e opozitës për të përcjellë me seriozitetin më të madh, kandidaturën në përputhje me atë që kërkon kushtetuta dhe me vetdijen tonë politike, siç duhet të jetë presidenti i Republikës”, tha zoti Mediu.
Një variant tjetër ofroi deputetja demokrate Grida Duma: “Proces me kritere. Kriteret mundet t’i vendosë kushdo dhe t’i interpretojë si të dojë. Se arti i spekulimit është dhe politika, sidomos ajo që bëjmë ne këtu, se produkt thuajse zero. Unë madje shkoj me logjikën që të mos e vonojmë fare, por ta shpejtojmë. Të enjten bëjeni seancën. Të vijë një emër nga opozita dhe mbi atë emër bëni votimin, dhe kundër po të doni”
Socialistët deklaruan se nuk mund të pranojnë assesi, që ata të përjashtohen nga e drejta e propozimit, por se nga ana tjetër, ishin të gatshëm të bisedonin mbi dokumentin e zotit Alibeaj. “Unë jam i gatshëm të ulemi tani. Mbyllim këtë mbledhje. Ulemi diku. Diskutojmë dhe për atë dokumentin. Nëse biem dakort, e firmosim të dy atë dokument, mbi mënyrën si e do e zhvillojmë procesin. Pastaj shkoni te grupi juaj diskutoni dhe emrat. Dhe hajdeni diskutojmë dhe emrat”, u shpreh kreu i grupit socialist.
Zoti Balla e sfidoi disa herë homologun e tij demokrat duke përsëritur gatishmërinë për të biseduar menjëherë, madje në të njejtën sallë. Zoti Alibeaj iu përgjigj pozitivisht sfidës: “Do që ta diskutojmë? Me kamera? Tani? Dakort, pa lëvizur nga vendi. Tani, tani. Me gazetarët aty. Unë jam gati”.
Duket se kreu i grupit socialist nuk ishte i përgatitur për një përgjigje të tillë, dhe propozoi, që takimi të zhvillohet pasdite.
Pas përfundimit të mbledhjes zoti Alibeaj reagoi në këtë mënyrë: "Këtë histori që jam i gatshëm, po s’jam i gatshëm, këtë jo. Kishte më mirë se sa aty? Gazetarët ishin aty, publiku besoj po na ndiqte. Jo sot po nesër, këto janë vetëm spërdredhje që bën shumica”.
Të dyja palët u takuan më pas në orën 18.00. Një takim që zgjati fare pak, duke qenë se me kërkesë të zotit Alibeaj, bisedimet mes tyre do të zhvillohen nesër, në prani të medias.
Mbetet e paqartë nëse atyre do t’u bashkohen dhe përfaqësuesit e dy grupeve të tjera të opozitës. Zoti Balla tha se ky është një vendim që i përket vetë opozitës. Ndërsa zoti Alibeaj shpjegoi se “sallë është e hapur për këdo që të vijë dhe të diskutojë në sy të publikut rreth qëndrimit tonë. Jemi të hapur”, pa specifikuar nëse do të kishte nga ana e tij një ftesë për kolegët e opozitës.