Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se Finlanda dhe Suedia dorëzuan sot kërkesën e anëtarësimit në aleancë, pas shqetësimeve të krijuara nga sulmi rus mbi Ukrainën. Zoti Stoltenberg tha se aleatët e NATO-s pajtohen se ky është një moment historik që duhet shfrytëzuar. Kërkesa e tyre do të shqyrtohet nga 30 vendet anëtare të aleancës.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha sot se aleanca ushtarake është e gatshme të shfrytëzojë momentin historik që në një proces të përshpejtuar të lejojë Finlandën dhe Suedinë të jenë pjesë e aleancës, pasi të dy vendet paraqitën kërkesat e tyre për anëtarësim.
Aplikimet zyrtare, të dorëzuara nga ambasadorët e Finlandës dhe Suedisë në NATO, vijnë mes paralajmërimeve të Rusisë se një veprim i tillë, nuk është i mirëpritur dhe se mund të pasohet me një kundërpërgjigje.
“Mirëpres përzemërisht kërkesat e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO. Ju jeni partnerët tanë më të ngushtë. Të gjithë aleatët pajtohen mbi rëndësinë e zgjerimit të NATO-s. Të gjithë pajtohemi se duhet të jemi të bashkuar dhe se ky është një moment historik që duhet ta shfrytëzojmë”, tha zoti Stoltenberg në një konferencë shtypi.
Presidenti rus Vladimir Putin ka kërkuar ndërprerjen e zgjerimit të aleancës pranë kufijve të Rusisë, ndërsa disa aleatë të NATO-s, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania, kanë dhënë shenja se janë të gatshëm të ofrojnë mbështetje sigurie për Finlandën dhe Suedinë, nëse Rusia përpiqet t’i provokojë, ose destabilizojë ato, gjatë kohës së shqyrtimit të kërkesës.
Vendet përfitojnë nga garancia e sigurisë e nenit 5 të NATO-s, që thotë se çdo sulm ndaj një anëtari konsiderohet si një sulm ndaj të gjithë anëtarëve, pasi të përfundojë ratifikimi i aplikimeve, ndoshta pas disa muajsh.
Ky veprim është një nga ndryshimet më të mëdha gjeopolitike që do të rishkruajë hartën e sigurisë së Evropës. Kryeministri britanik Boris Johnson mirëpriti aplikimet. Në një postim në Twitter ai tha se ambiciet e tmerrshme të Putinit kanë transformuar vijat gjeopolitike të kontinentit të Evropës.
Lexoni edhe këtë Përse i druhet Turqia anëtarësimit në NATO të vendeve nordike?Procesi i shqyrtimit të kërkesës pritet të zgjasë rreth dy javë, megjithëse presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka shprehur rezerva rreth anëtarësimit të vendeve nordike.
Zoti Erdogan deklaroi se nuk mund të lejojë anëtarësimin e tyre për shkak të mbështetjes që ai thotë se këto vende u japin militantëve kurdë dhe grupeve të tjera që Ankaraja thotë se kërcënojnë sigurinë e saj kombëtare.
Nëse tejkalohen kundërshtimet e Turqisë dhe bisedimet e anëtarësimit shkojnë siç pritet, të dy vendet mund të bëhen anëtarë të NATO-s së shpejti.
Opinoni publik në Finlandë dhe Suedi ka ndryshuar qëndrim rreth anëtarësimit në NATO, që kur Rusia sulmoi Ukrainën më 24 shkurt.
Finlanda dhe Suedia bashkëpunojnë shumë ngushtë me NATO-n.
Të dy vendet kanë demokraci funksionale, forca të armatosura të mirëfinancuara dhe kontribuojnë në operacionet ushtarake të aleancës dhe misionin për kontrollin ajror.