Kosovë, kremtohet Fitër Bajram

Your browser doesn’t support HTML5

Kosovë, besimtarët festojnë Fiter Bajramin

Me thirrjet për paqe e tolerancë, të hënën në Kosovë u kremtua dita e Fitër Bajramit, që shënon fundin e muajit të agjërimit të besimtarëve myslimanë.

Udhëheqësit fetar e politikë të Kosovës krahas përgëzimeve bënë thirrje për solidaritet në këto kohë të vështira që, sipas tyre, po kalon njerëzimi.

Derisa dy vitet e kaluara shumica e ceremonive të kësaj feste u zhvilluan në shtëpi për shkak të pandemisë COVID- 19, këtë vit qindra besimtarë morën pjesë në ceremoninë qendrore të faljes së Fitër Bajramit në xhaminë e madhe në Prishtinë.

Your browser doesn’t support HTML5

Kosovë, besimtarët festojnë Fiter Bajramin

Kryetari i Bashkësisë islame të Kosovës, Naim Tërnava, tha se njerëzit duhet të kujtojnë misionin e tyre për të ruajtuar barazpeshën ndërmjet shpirtit fetar dhe atij materialist, duke nënvizuar pasojat e luftërave që po ndodhin nëpër botë.

“Kur ne po shijojmë mirësitë e kësaj feste, në shumë vende të botës kemi konflikte, luftëra e gjakderdhje ku popullata e pafajshme po përballet me padrejtësi, dëbime, vrasje, shkatërrime. Nuk është ky misioni i njeriut në këtë botë, nuk është ky misioni ynë në jetë. Kështu nuk na mësojnë as librat e Zotit, e nuk na kanë ligjëruar kështu as Pejgamberët e tij”, tha ai.

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, gjatë një vizite në Bashkësinë Islame të Kosovës uroi besimtarët për festën e Bajramit me thirrje për bashkim e tolerancë.

“Ne Bajram e Pashkë i festojmë bashkë sepse jemi të gjithë vëllezër dhe vazhdojmë të lutemi për njëri – tjetrin, duke iu uruar gjithë popullin tonë, të gjithë njerëzve që festojnë begati, paqe, rehati, mirëkuptim”, tha ai.

Edhe udhëheqës të institucioneve e partive politike përgezuan besimtarët dhe Bashkësionë Islame.

“I falenderova që po e kultivojnë e vazhdojnë një nga virtytet që po tretet në çdo shoqëri të botës, globalisht po shkon duke humbur, kjo është solidariteti dhe bamirësia. Bashkësia Islame po e luan një rol vërtetë të jashtëzakonshëm”, tha kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca.

“Me lutjet më të mira që të pranohet agjërimi, sakrifica, dëshiroj për të gjithë njerëzit të ketë paqe, gëzim, mirëqenie e lumturi”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“I lutem Zotit që të pranoj agjërimin për të gjithë ata që kanë agjëruar, njëkohësisht të shpërblejë ata që kanë ndihmuar të tjerët sepse ka qenë muaj i solidaritetit”, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Përgëzime me rastin e kësaj kremteje besimtarëve u shprehën edhe udhëheqës të tjerë vendas e ndërkombëtarë të cilët vunë theksin te përpjekjet e përbashkëta për ndërtimin e demokracisë e qëndrueshmërisë në vend dhe në rajon.