Një muaj pas nisjes së luftës, edhe më shumë refugjatë largohen nga Ukraina 

Your browser doesn’t support HTML5

Një muaj pas nisjes së luftës, edhe më shumë refugjatë largohen nga Ukraina

Një muaj pas nisjes së sulmit të Rusisë në Ukrainë, një numër edhe më i madh refugjatësh po kalojnë kufirin për në Poloni.

Sipas të dhënave nga agjencia e OKB-së për refugjatët më shumë se 2,1 milionë njerëz kanë hyrë në këtë vend që nga fillimi i luftës. Në total sipas kësaj agjencie, lufta ka detyruar më shumë se 3.6 milionë njerëz të largohen nga Ukraina.

Autoritetet në qytetin e vogël polak Medyka, që ndodhet në kufi me Ukrainën, u përgatitën me shpejtësi për të reaguar ndaj krizës.

“Ndjej dhimbje, frikë, zhgënjim. Është e pamundur të planifikojmë të ardhmen tonë. Ishte e tmerrshme atje. Në fillim menduam se lufta do të përfundonte shumë shpejt. Askush nuk mund të besonte se Rusia do të na sulmonte”, thotë Olha Homienko, refugjate nga Kharkivi.

“Besoj se Ukraina do të fitojë këtë luftë dhe besoj tek ushtria jonë. Të gjithë menduan se do të përfundonte brenda tre ditësh. Askush nuk mendoi se do të zgjaste kaq gjatë. Nuk e di pse Putini e urren kaq shumë popullin paqësor ukrainas? Pse po bombardon shtëpitë tona? Pse ka kaq shumë viktima, gjak dhe fëmijë të vrarë? Është e tmerrshme”, thotë Natalia Lutsenko, një tjetër refugjate nga Chernihivi.

Kryetari i komunës në qytetin Medyka, Marek Iwasieczko e kujton shumë mirë ditën e parë kur refugjatët ukrainas u futën në qytet dhe kërkuan ndihmë.

“Papritur një numër i madh njerëzish u shfaqën në Medyka. Ata ishin refugjatë që po iknin nga ky mjerim për të gjetur një vend të sigurt për të qëndruar derisa e gjithë kjo që po ndodh të kalojë. Disa prej tyre vinin nga larg, nga Mariupoli dhe Kharkivi, rreth 1000 kilometra larg. Ata kishin udhëtuar për katër ditë dhe erdhën tejet të rraskapitur”, thotë ai.

Në mesin e refugjatëve të larguar nga Ukraina, ka kryesisht gra e fëmijë. Burrat mes 18 deri në 60 vjeç u është ndaluar të largohen nga vendi. Shumë prej tyre i janë bashkuar ushtrisë për të luftuar.