Administrata e Presidentit Joe Biden ka akuzuar zyrtarisht Rusinë për krime lufte në Ukrainë dhe ka bërë të ditur se Uashingtoni do të koordinohet me vende të tjera për të ndjekur në rrugë ligjore përgjegjësit.
Në një kohë kur Rusia vazhdon të godasë objektivat civilë në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës, zyrtarët e Departamentit të Shtetit janë treguar të kujdesshëm në etiketimin e sulmeve ruse si krime lufte, duke theksuar nevojën për hetime.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Beth Van Schaack është përqëndruar në drejtësinë penale globale. Ajo u konfirmua nga Senati javën e kaluar dhe bëri një njoftim të rëndësishëm në ditën e dytë të saj në detyrë.
“Më herët, Sekretari Blinken njoftoi përmes një deklarate se bazuar në të dhënat aktuale, qeveria e Shteteve të Bashkuara vlerëson se forcat ruse po kryejnë krime lufte në Ukrainë.”
Ajo tha se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj janë tronditur nga imazhet e sulmeve të forcave ruse nga toka dhe ajri ndaj objektivave civilë në Mariupol, përfshirë maternitetin, shkollat dhe muzeumet.
E pyetur nga shtypi nëse vlerësimi për krime lufte vlente edhe ndaj Presidentin Putin, Ambasadorja Van Schaack u shpreh:
“Kemi të bëjmë me një zinxhir komande kur bëhet fjalë për një ushtri si ajo ruse. Në bazë të parimeve dhe ligjit ndërkombëtar ne mund të mbajmë përgjegjës ata që janë përfshirë drejtpërdrejt, ata që mund të jenë bashkëpunëtor ose thënë ndryshe, ata që janë përfshirë në veprimtari kriminale me autorët e krimeve”.
Pavarësisht pamjeve filmike ku shihet bombardimi i spitaleve dhe objekteve civile në Ukrainë, Rusia ka mohuar se ka shënjestruar qëllimisht civilët.
Zyrtarët amerikanë thonë mbajta e përgjegjësive për krime i takon një tribunali që ka juridiksion. Duke folur në Institutin Amerikan të Paqes, ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Oksana Markarova, kujtoi kampin e parë nazist të përqendrimit të krijuar në mars 1933 pranë Mynihut.
“Fatkeqësisht, sot historia po përsëritet. Përsëri në qendër të Evropës, në Ukrainë, po flasim për mizori, gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.
Ekspertja e së drejtës ndërkombëtare, Jane Stromseth, thotë se Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) ka filluar një hetim mbi Ukrainën.
“Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) ka dërguar një ekip hetuesish në Ukrainë. Ai ka ka qënë vetë atje dhe ka biseduar me zyrtarë ukrainas, përfshirë Presidentin Zelenskyy.”
Ka të ngjarë që gjatë qëndrimit në Evropë, Presidenti Biden të diskutojë me vendet aleate lidhur me krimet e luftës.
Estonia, Lituania, Gjermania, Polonia, Sllovakia dhe Suedia po hetojnë ato që mund të përbëjnë krime lufte në Ukrainë, me synimin për ruajtjen e provave për llogaridhënie.