Kievi: Moska po zhvendos me forcë civilë drejt Rusisë 

APTOPIX France Russia Ukraine War

Ministria e Jashtme e Ukrainës thotë se Moska po ndërmerr veprime për të zhvendosur me forcë mijëra banorë të qytetit port nën rrethim, Mariupolit, drejt Rusisë.

Sipas autoriteteve ukrainase forcat ruse kishin marrë 6,000 banorë të qytetit dhe i kishin dërguar në ato që i quajtën kampet ruse të filtrimit, me qëllim që t'i përdorin si pengje e për të ushtruar më shumë trysni politike mbi Ukrainën.

Ministria e Jashtme u shpreh e shqetësuar për fatin e rreth 15,000 personave nga një rajon i Mariupolit nën kontrollin e forcave ushtarake ruse. Kievi tha se trupat ruse po u konfiskonin atyre dokumentet e identitetit dhe po këmbëngulin që ata të niseshin drejt Rusisë. Ukraina ka akuzuar vazhdimisht trupat ruse për pengim të përpjekjeve për të evakuuar civilët nga Mariupoli.

Zyrtarë të zbulimit ushtarak ukrainase thanë të enjten se civilët ukrainas po dërgoheshin përmes një “kampi filtrimi” në territorin e kontrolluar nga Rusia, më pas në rajonet jugore të Rusisë.

Disa mund të dërgohen në ishullin Sakhalin në oqeanin Paqësor, thanë burimet e zbulimit ukrainas duke shtuar se atyre po u ofrohet punë me kushtin që të mos largohen për dy vjet. Agjencia Reuters njoftoi se nuk mund t’i verifikonte në mënyrë të pavarur këto pretendime.

Moska thotë se po ndihmon civilët të evakuohen nga Mariupoli dhe qytete të tjera të prekura nga luftimet, duke shtuar se shumë prej tyre janë të prirur të gjejnë strehim në Rusi.