Kosovë: parakalim kundër dhunës në ditën ndërkombëtare të gruas

Në Prishtinë, veprimtarë për mbrojtjen e të drejtave të grave u hodhën në një protestë të martën duke bërë thirrje kundër dënimeve të ulta për rastet e vrasjes së grave. Gjatë një parakalimi nga ndërtesa e Pallatit të Drejtësisë deri te ndërtesa e qeverisë, protestuesit hodhën ngjyrë të kuqe dhe parulla kundër mënyrës së trajtimit të dhunës ndaj grave.

Sipas të dhënave të policisë së Kosovës, në vitin 2021 nga 2 mijë e 486 raste të dhunës në familje 1 mijë e 968 viktima kanë qenë gra, një rritje në krahasim me vitin 2020 kur nga rreth 2 mijë e 100 raste të dhunës në familje, 1 mijë e 636 viktima ishin gra.

Vlora Tuzi Nushi, drejtoreshë e organizatës së Kombeve të Bashkuara UN Women në Kosovë, i tha Zërit të Amerikës se rritja e rasteve të dhunës ndaj grave është shqetësuese.

“Kemi një ngritje të ndjeshme të raportimit të dhunës në baza gjinore, posaçërisht në kontekst të post COVID-19ës, sepse të gjitha këto janë të ndërlidhura me nivelin e ultë të përfaqësimit të grave në tregun e punës, 14 për qind ishte deri në vitin 2021”, thotë ajo.

Luljeta Demolli nga Qendra e Kosovës për Barazi Gjinore, thotë se në fakt që nga viti 2008, nuk është shënuar ndonjë përparim i mirëfilltë në punësimin e grave dhe fuqizimin ekonomik të tyre.

“Nuk janë më shumë se 10 për qind e grave në sektorin e biznesit dhe aty ku janë ato janë në bashkëpronësi ose me baballarët ose me burrat e tyre, por nuk kemi shume gra që prijnë në këtë sektor dhe këtë e dëshirojmë sepse vetëm atëherë kur sektori privat të ndryshojë mund të ketë punësim më të madh, do të ndryshojë edhe situata aktuale”, thotë ajo.

Edi Gusia nga Agjencia për Barazi Gjinore, i tha Zërit të Amerikës se është shënuar përmirësim në përfaqësimin e grave në pozita vendimmarrëse.

“Ne kemi fatin që për herë të dytë në historinë e shkurtë të shtetformimit kemi një presidente grua, kemi dy zëvendës kryeministre gra, në parlament kemi për herë të parë 42 deputete gra gjysma e të cilave kanë hyrë me votat e tyre në kuvend. Një fakt tjetër pozitiv është që auditorja e përgjithshme është për herë të parë grua, në 14 borde të ndërmarrjeve publike kemi 27 gra”, thotë ajo.

Por, përfaqësimi në nivelin komunal, thotë ajo, nuk është përmirësuar.

Zonja Tuzi Nushi thotë se organizata e saj është duke punuar pikërisht në përmirësimin e përfaqësimit të grave në nivelin lokal.

“Jemi duke punuar me nivelin komunal nga aspekti i buxhetimit gjinor në mënyrë që nevojat e vajzave e grave në nivel komunal të merren parasysh përmes planifikimit buxhetor të komunave. Mund të them që kemi gjetur bashkëpunim shumë të mirë me institucionet e nivelit lokal”, thotë ajo.

Zonja Demolli, thotë se edhe pse Kosova ka ligje shumë të mira, sfidë vazhdon të jetë zbatimi i tyre dhe kjo e thellon pabarazinë gjinore në vend.

“Ligjet po amandamentohen, po krijohen ligje të reja, por është një regres në zbatim për shkak të mendësisë patriarkale të zyrtarëve e zbatuesve të ligjit. Faktikisht kjo është diçka që do të shënoja, që të ketë një zbatim konform ligjeve edhe direktivave të Bashkimit Evropian”, thekson ajo.

Zonja Gusia thotë se përparimet në çështjet e barazisë gjinore kërkojnë kohë.

“Të jemi të sinqertë ne jemi duke luftuar fenomenin e diskriminimit ndaj grave shqiptare por edhe të komunitetit pakicë, të cilat kanë përjetuar diskriminimin më tepër se 100 vjeçar, pra ne jemi duke tentuar si institucione të reja të korrigjojmë gabime historike më tepër se 100 vjeçare. Gratë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë fatkeqësisht të nënpërfaqësuara, por po i shohim ndryshimet e para”, thotë ajo.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave thonë se në Kosovë, pabarazia gjinore është pjesë e kulturës së përgjithshme dhe se vendi ende është larg arritjes së mundësive të barabarta për gratë dhe burrat qoftë në punësim apo në përfaqësim të tyre në pozita vendimmarrëse.