Kosovë: protestë në mbështetje të Ukrainës

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, diplomatë të huaj dhe qytetarë. morën pjesë në një protestë në sheshin qendror të Prishtinës, për t’u solidarizuar me Ukrainën, që po përballet me agresionin rus që nga 24 shkurti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pamjet e luftës në Ukrainë nuk janë të panjohura për Kosovën dhe ato rikthejnë kujtimet e plagëve të luftës së vitit 1999.

Your browser doesn’t support HTML5

Kosovë: protestë në mbështetje të Ukrainës

“Prandaj edhe i jemi bashkuar botës demokratike, u jemi bashkuar aleatëve tanë, jo vetëm për ta dënuar agresionin rus mbi Ukrainën, por në të njëjtën kohë për të kërkuar përgjegjësi për krimet që po i kryen krimineli i luftës, diktatori Putin. Do të qëndrojmë të bashkuar, do të bashkojmë zërat dhe veprimet tona sikur kemi bërë deri tani dhe jam e bindur që sikur në rastin e Kosovës në vitin 1999, edhe tani në Ukrainë në vitin 2022, do të triumfojë liria dhe demokracia”, tha zonja Osmani.

Kosova do të heqë vizat për ukrainasit – e gatshme të strehojë familjarët e ushtarëve ukrainas të KFOR-it

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, tha të hënën se Kosova së shpejti do të pezullojë regjimin e vizave kalimtare për qytetarët e Ukrainës dhe do të krijojë kushte për strehimin e familjarëve të ushtarëve ukrainas që shërbejnë në kuadër të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja.

Gjatë një raportimi në Komisionin parlamentar për Politikë të Jashtme ajo tha se “qytetarët e Ukrainës në kufirin me Kosovën mund të hyjnë pa viza, por ata që dëshirojnë të qëndrojnë në Kosovë, do të detyrohen të paraqiten tek organet kompetente me qëllim që të marrin leje qëndrimi.

Zonja Gërvalla tha se do krijohen mundësi që familjarët e ushtarëve ukrainas në Kosovë, të sjellin familjet në Kosovë nëse e duan një gjë të tillë. Në misionin e KFOR-it aktualisht shërbejnë 40 ushtarë ukrainas.

Qeveria e Kosovës tha se po punon për zbatimin e kërkesës së parlamentit që të sigurojë strehimin e 5,000 refugjatëve nga Ukraina.

“Ndaloni Putinin, ndaloni luftën”, “Paqe për Ukrainën” dhe “Bota ka parë mjaftueshëm luftëra”, ishin disa prej pankartave që mbanin në duar pjesëmarrësit e kësaj proteste të organizuar nga disa organizata të shoqërisë civile në Kosovë.

Dajana Berisha, drejtoreshë ekzekutive e Forumit për Iniciativa Qytetare, tha se protesta është organizuar për të treguar se populli i Kosovës qëndron pranë popullit të Ukrainës, në këto kohë të vështira.

“Ne jemi sot këtu që nëpërmjet një gjesti simbolik qytetar të shprehim mbështetjen dhe solidaritetin e Kosovës në rrafshin njerëzor, institucional e të organizatave joqeveritare me popullin e Ukrainës. Jemi këtu për të përcaktuar pozicionin tonë me vlerat perëndimore, në momente mjaft të vështira që po i kalon si rrjedhojë e invazionit dhe agresionit të Federatës Ruse”, tha ajo.

Parlamenti i Kosovës javën që shkoi përmes një rezolute më të cilën dënoi agresionin rus, i bëri thirrje qeverisë që të ofrojë strehim për rreth 5 mijë refugjatë ukrainas.

Presidentja Osmani ritheksoi gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për t’u dalë në ndihmë ukrainasve që kanë nevojë.

“Gjithçka që është në dorën tonë e kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë edhe më tutje brenda kapaciteteve që një shtet i vogël si Kosova i ka. Por, të jemi të qartë që është shumë me rëndësi që zëri ynë të dëgjohet në çdo kënd të botës se çfarë ndodhë kur ledhatohen diktatorët dhe se sa e rëndësishme është ndihma e aleatëve tanë perëndimorë dhe shteteve të tjera paqedashëse në raport me popullin e Ukrainës, që tani po bombardohet nga ana e Rusisë”, tha zonja Osmani.

Udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë, e kanë dënuar sulmin dhe janë zotuar për bashkërendim me veprimet e aleatëve perëndimorë dhe qeveria u është bashkuar sanksioneve amerikane dhe evropiane kundër Rusisë.