Diaspora ukrainase në Amerikë po mbledh ndihma për bashkatdhetarët, të cilët janë nën sulmin rus. Nga mbledhja e ilaçeve tek ndihmat financiare, shumë grupe janë mobilizuar për të ndihmuar.
Your browser doesn’t support HTML5
Disa organizata të diasporës ukrainase në SHBA, shumica e të cilave u krijuan pas sulmeve ruse në Ukrainë në vitin 2014, janë bashkuar dhe po koordinojnë punën për të ndihmuar njerëzit në atdheun e tyre.
Disa organizata po mbledhin ndihma mjekësore për t’i dërguar në Ukrainë, ndërsa forcat ushtarake dhe banorët po luftojnë kundër agresionit rus. Organizata të tjera po mbledhin fonde. Çdo mbrëmje zhvillohet një takim përmes aplikacionit “Zoom” për të koordinuar punën.
“Ne kemi bashkuar disa organizata. Ne jemi gjithashtu në kontakt me diasporën ukrainase në Kanada, me shpresën se ata do të punojnë edhe me ne”, thotë Lyubov Shipovich, nga organizata “Së bashku për Ukrainën”.
Irina Vashchuk është presidente e fondacionit “Ushtarët e ringjallur në Ukrainë” dhe ka mbledhur rreth 95 mijë dollarë për të blerë medikamente për spitalet në Ukrainë dhe për të mirëmbajtur automjetet e evakuimit.
“E kuptoj që jemi larg Ukrainës. Por prindërit tanë janë atje. Vëllai im ka shërbyer në ushtri për më shumë se 2 vjet, babai im ka ndihmuar po ashtu”, thotë ajo.
Në kryeqytetin amerikan, Uashington, një organizatë tjetër po fokusohet në krijimin e kompleteve mjekësore për ushtarët ukrainas.
“Ne kemi dërguar pajisje mjekësore taktike për ushtarët në Ukrainë që nga viti 2014. Ato duhet të përmbajnë një ilaç për gjakderdhjen dhe fasha speciale. Janë furnizime mjekësore që njerëzve u nevojiten gjatë një konflikti të armatosur”, thotë Maryna Bura, nga organizata “United Help Ukraine”.
Ajo që nevojitet më shumë janë profesionistë mjekësorë dhe instruktorë në qytetet e Ukrainës, në mënyrë që të mund t’u mësojnë të tjerëve ndihmën e parë dhe të krijojnë video tutoriale.
“Këto janë video se si të përdoren komplete mjekësore individuale dhe pse janë të nevojshme; ato përmbajnë gjithashtu këshilla për civilët”, thotë Lyubov Shipovich, nga organizata “Së bashku për Ukrainën”.
Fondacioni “Luledielli i Paqes” po mbledh të ardhura për të blerë çanta shpine speciale për profesionistët mjekësorë.
“Kjo është një çantë shpine mjekësore taktike që ka gjithçka që i nevojitet për të shpëtuar deri në dhjetë jetë, gjatë një konflikti të armatosur. Ato madje mund të përmbajnë një çantë të veçantë kirurgjikale që kur përdoret nga një profesionist mund të përdoret për të kryer një operacion të vërtetë në kushte terreni”, thotë Katya Malakhova.
Drejtuesit e këtyre organizatave thonë se po marrin mbështetje të paprecedentë si nga ukrainasit ashtu edhe nga amerikanët.