Një projekt-rezolutë e propozuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria e cila dënonte me forcë agresionin rus ndaj Ukrainës, dështoi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për shkak të vetos së Rusisë. Projekt-rezoluta kërkonte gjithashtu tërheqjen e menjëhershme të trupave ruse nga Ukraina.
Njëmbëdhjetë nga 15 anëtarët e këshillit votuan në favor të dokumentit. Kina, India dhe Emiratet e Bashkuara Arabe abstenuan.
Mosmiratimi ishte i pritshëm për shkak të së drejtës së vetos së Moskës si anëtare e përhershme e Këshillit.
Megjithatë, debati u ofroi vendeve anëtare një mundësi për të dënuar vendimin e Presidentit Vladimir Putin për të ndërmarrë një ofensivë në shkallë të gjerë kundër fqinjit të Rusisë.
"Rusia mund të vendosë veton ndaj rezolutës, por nuk mund të vendosë veton ndaj zërave tanë, nuk mund të vendosë veton ndaj të vërtetës, nuk mund të vendosë veton ndaj parimeve tona, nuk mund të vendosë veton ndaj popullit ukrainas", tha Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB Linda Thomas-Greenfield pas votimit.
Projekt-rezoluta rikonfirmonte sovranitetin e Ukrainës dhe i bënte thirrje Rusisë që "të ndërpresë menjëherë përdorimin e forcës kundër Ukrainës". Më shumë se 70 vende të OKB-së mbështetën rezolutën.