Vazhdon beteja për Kievin

Një godinë e lartë me apartamente e goditur nga raketat ruse në Kiev (26 shkurt 2022)

Një zyrtar i lartë amerikan tha sot se rreth 50% e fuqisë luftarake ruse e mbledhur pranë Ukrainës, ka hyrë tashmë brenda territorit ukrainas dhe se forcat ruse janë të stacionuara rreth 30 kilometra në të dalë të Kievit. Pasi ato bombarduan me raketa dhe artileri kryeqytetin ukrainas, autoritetet njoftuan se pati luftime rrugë më rrugë me grupe sabotatorësh rusë. Zyrtari amerikan konfirmoi se një numër i pacaktuar ushtarakësh rusë të njësive pararojë të zbulimit kishin hyrë në kryeqytetin ukrainas.

Your browser doesn’t support HTML5

Vazhdon beteja për Kievin

Shpërthime dhe të shtëna armësh u dëgjuan të shtunën në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, ndërsa forcat ruse dhe ukrainase, luftonin për kontrollin e qytetit. Ushtria ruse bombardoi gjatë orëve të natës me raketa dhe artileri Kievin dhe qyteteve të tjera kryesore të Ukrainës.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha të shtunën se kryeqyteti Kiev ishte ende nën kontrollin e forcave ukrainase pas sulmit të filluar nga Rusia dy ditë më parë.

Volodymyr Zelenskyy

“I kemi përballuar dhe i kemi zmbrapsur me sukses sulmet e armikut. Lufta vazhdon... Kievi dhe qytetet kryesore janë nën kontrollin e ushtrisë sonë. Pushtuesit duan të bllokojnë zemrën e shtetit tonë dhe të vendosin aty kukullat e tyre, siç vepruan në Donjetsk”, tha zoti Zelenskiy në një fjalim të regjistruar.

Presidenti ukrainas u bëri thirrje shtetasve të larguar që, nëse munden, të rikthehen për të mbrojtur vendin e tyre.

Ndërkohë forcat ukrainase dhe qytetarët vullnetarë janë duke luftuar përreth dhe brenda kryeqytetit. Ushtria ukrainase tregoi pamje të autokolonave të shkatërruara ruse që i ishin drejtuar kryeqytetit. Sipas zyrtarëve ukrainas, ushtria ruse ka pësuar mijëra viktima.

Ushtarët ukrainas duke inspektuar një mjet ushtarak rus të shkatërruar (26 shkurt 2022)

“I bëjmë thirrje Kryqit të Kuq të na ndihmojë për riatdhesimin në Rusi të trupave të ushtarëve rusë. Janë me mijëra kufomat e agresorëve. Kjo është një nevojë humanitare. Kërkojmë që trupat e agresorëve të largohen nga Ukraina dhe të dërgohen në Rusi”, tha Irina Vereshchuk, Zëvendës Kryeministre e Ukrainës.

Një ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare për shtetet ish-sovjetike tha të shtunën se duke sulmuar Ukrainën, Presidenti rus Vladimir Putin shkatërroi trashëgiminë e tij.

“E shkatërroi trashëgiminë e tij. Nëse nuk do të kishte ndërmarrë këtë veprim, mund të kishte lënë trashëgiminë e personit që ringriti Rusinë në këmbë dhe e fuqizoi. Por, realiteti është se tani Rusia do të harxhojë rezervat e saj... Rusia nuk ka një thesar pa fund dhe sa më shumë që të zgjasë lufta me Ukrainën, e cila duket se do të jetë një maratonë, aq më të vështirë do ta ketë. Kufomat e ushtarëve do të fillojnë të kthehen në atdhe dhe kjo nuk mund të vazhdojë për shumë kohë. Pra, Rusisë i intereson që të jetë një luftë e shkurtër dhe e shpejtë, por nuk po i plotësohet dëshira”, thotë James Nixey, nga organizata britanike “Chatham House”.

Luftimet rrugë më rrugë të së shtunës erdhën pas dy ditë sulmesh masive nga ajri dhe me raketa, ndërkohë që ushtarët rusë filluan një ofensivë nga veriu, lindja dhe jugu.

Njësitë ukrainase duke patrulluar në Kiev (26 shkurt 2022)

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko mohoi që në kryeqytet të ketë prani të njësive të rregullta ruse, por tha se në kryeqytetet vazhdojnë të veprojnë grupe sabotatorësh rusë.

“Nata ishte e vështirë, por nuk ka njësi ruse në kryeqytet. Armiku po përpiqet të hyjë dhe të thyejë vijën mbrojtëse, por këta agresorë janë neutralizuar. Fatkeqësisht po ushtrojnë veprimtari në Kiev grupe sabotatorësh. Pati disa përplasje dhe shkëmbime zjarri”, tha zoti Klitschko.

Pas bombardimeve të natës, në qendër të Kievit pati pamje paniku ndërsa u panë grupe njerëzish që largoheshin me valixhe.

“Është një terrorizëm i tmerrshëm. Jemi të gjithë të shqetësuar për këtë gjendje. Nuk shkojmë dot më për ushqime. Stacioni i nëndheshëm hekurudhor këtu pranë nuk është goditur ende”, thotë Ksenya, një banore 84-vjeçare e Kievit.

Banorët qëndrojnë të strehuar në tunelet hekurudhore të Kievit

Popullsia e mbetur në kryeqytetin ukrainas po strehohet në tunelet e sistemit hekurudhor të qytetit që ka dalë tashmë jashtë funksionimit. Sipas agjensisë së OKB-së për refugjatët, deri më tani kanë arritur të largohen drejt vendeve fqinje rreth 120 mijë persona, ndërsa pritet që ky numër të arrijë deri në 4 milionë refugjatë ndërsa situata vazhdon të përkeqësohet.