Sportistët më të mirë nga mbarë bota janë gati për Lojërat Olimpike Dimërore, që fillojnë më 4 shkurt (nesër). Por ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit atyre u duhet të respektojnë rregulla të reja, për shkak të pandemisë. Për disa prej pjesëmarrësve, kjo sjell pasiguri, por për disa të tjerë është lehtësuese. Zëri i Amerikës bisedoi me tre pjesëtarë të ekipit amerikan para nisjes së tyre drejt Pekinit.
Your browser doesn’t support HTML5
Tre pjesëtarët e ekipit olimpik amerikan, atletët Chris Madzder, Katie Uhlaender dhe Kevin Bickner synojnë medalje të artë në Lojërat e Pekinit, që zhvillohen mes një pandemie që nuk duket të jetë afër fundit.
“Duhet të sigurohesh se ke bërë testin e duhur. Procedurat logjistike janë të lodhshme", thotë atleti Madzder.
Ekipi amerikan i rrëshqitjes në akull punësoi dikë që merret me vaksinimet, testimet dhe maskat, të gjitha masa të detyrueshme. Para një viti, organizatorët e Lojërave bënë një provë përgatitore, që sportistët ta kishin të qartë se çfarë i pret në Pekin.
“Çdo ditë testonin çdo person me të cilin kishim kontakt. Të gjithë ishin të pajisur me kostume speciale mbrojtëse, përveç atyre që dilnin nga izolimi tre-javor, por që gjithsesi duhet ta mbanin maskën”, thotë atleti Madzder.
Para lojërave, sportistët janë përballur me mbylljen e palestrave dhe humbje të të ardhurave pas anulimit të shumë turneve.
Katie Uhlaender tha në një audio-intervistë ndërsa po udhëtonte drejt Pekinit, se gjatë pandemisë gjeti një punë fizike sa për të ruajtur formën.
"Kujdesesha për pemët. Ndërsa dikush priste degët e thara, unë hiqja trungjet. Ishte si stërvitje në palestër dhe ndodhesha në pyll, që është mjedisi im i preferuar”, thotë ajo.
Skiatori Bickner thotë se pasi të mbërrijë në Pekin, pret që të takohet vetëm me sportistë të testuar për COVID.
“Nuk mendoj se ndonjë sportist do të ketë COVID-in në fshatin olimpik, prandaj nuk do të jem i shqetësuar pasi të mbërrij atje”, thotë skiatori Bickner.
Ashtu sikur në Lojërat Olimpike Verore në Tokio, asnjë shikues nuk do të lejohet në tribunat e Pekinit.
Kjo nënkupton se familja e sportistit Madzder do të qëndrojë në shtëpi.
Edhe atletes Uhlaender, për të cilën këto janë Lojërat e pesta, do t’i mungojë mbështetja e familjes.
As prindërit e skiatorit Bickner nuk do të jenë të pranishëm.
Por, gjithë kjo situatë nuk i shpërqëndron ata nga synimi për të fituar medaljen e artë.