Në përvjetorin e parë të sulmit ndaj Kapitolit më 6 janar 2021, Presidenti Joe Biden pritet të flasë pa doreza për pasojat e ngjarjes tronditëse - dhe për të bërë përgjegjës për atë që ndodhi, ish-presidentin Donald Trump, tha Shtëpia e Bardhë të mërkurën.
Në një fragment, bërë publik përpara fjalimit, zoti Biden thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të vendosin se çfarë vendi duan të jenë.
"A do të jemi një vend që e pranon dhunën politike si normë? A do të jemi një vend që lejon zyrtarë partiakë të zgjedhjeve të përmbysin vullnetin e shprehur në mënyrë legjitime të popullit? A do të jemi një vend që nuk jeton në dritën e së vërtetës, por nën hijen e gënjeshtrës?", pritet të thotë Presidenti, sipas Shtëpisë së Bardhë.
"Ne nuk mund t’ia lejojmë veten të jemi një vend i tillë. Rruga përpara është ta pranojmë të vërtetën dhe të jetojmë me parimin e së vërtetës."
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, i parapriu gjithashtu fjalimit në konferencën e shtypit të së mërkurës, duke thënë se pritet që zoti Biden të theksojë "përgjegjësinë që ka Presidenti Trump për kaosin dhe masakrën që ndodhi".
"Ai do të hedhë poshtë me forcë gënjeshtrën e përhapur nga ish-presidenti në një përpjekje për të mashtruar popullin amerikan dhe mbështetësit e tij, si dhe për ta hequr vëmendjen nga roli i tij tek ajo që ndodhi," tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.
"Pra, ai sigurisht, do të flasë për momentin ku jemi, për rëndësinë historike që ka transferimi paqësor i pushtetit, për atë që duhet të bëjmë për të mbrojtur demokracinë tonë dhe për të qenë largpamës, por ai gjithashtu do të reflektojë mbi rolin që luajti paraardhësi i tij", shtoi ajo.
Edhe nënpresidentja Kamala Harris do të flasë të enjten në mëngjes me presidentin Biden. Kur u pyet nëse presidenti Biden do ta identifikonte zotin Trump me emër gjatë fjalimit të tij në Kongres, Psaki nuk u përgjigj drejtpërdrejt.
"Do të shohim," tha ajo. "Fjalimi është në përfundim e sipër. Por mendoj se njerëzit do ta kuptojnë se kujt i referohet."
Po të mërkurën, Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland premtoi se prokurorët e Departamentit të Drejtësisë do të ndjekin autorët e trazirave "të çdo niveli" përgjegjësie.
Lexoni edhe këtë Garland: Hetimi i ngjarjeve të 6 janarit përparësi e Departamentit të DrejtësisëAi nuk përmendi me emër asnjë individ që mund të përballet me ndjekje penale, por tha: "Nuk mund të ketë rregulla të ndryshme për të fuqishmit dhe të pafuqishmit."
Të martën vonë, ish-presidenti Trump anuloi një konferencë shtypi të planifikuar për të enjten në mbrëmje në Florida, ku pritej të fliste për sulmin vdekjeprurës ndaj Kapitolit si pasojë e të cilit, gjetën vdekjen të paktën pesë vetë dhe më shumë se 130 u plagosën. Mbi 720 pjesëmarrës u akuzuar për vepra penale. Zoti Trump tha se do të fliste për disa "tema të rëndësishme" në një tubim më 15 janar në Arizona.
Zëri i Amerikës u përpoq të kontaktonte dy bashkëpunëtorë të ish-nënpresidentit Mike Pence për të zbuluar nëse ai kishte ndonjë plan për të enjten. Ata nuk u përgjigjën.
Zoti Trump, me anë të një deklaratë, akuzoi komisionin e Kongresit që po heton ngjarjet e 6 janarit se kishte treguar "paragjykim dhe pandershmëri të plotë". Ai vazhdon të pretendojë se zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2020 u manipuluan dhe se ai në fakt ai i kishte fituar ato. Nuk ka asnjë provë për të mbështetur këtë pretendim.
Të mërkurën, djali i madh i zoti Trump, Donald Trump Jr., postoi në Twitter se ai beson se komisioni i Kongresit që po heton aktualisht ngjarjet e 6 janarit është një "mashtrim."
"Demokratët në të gjithë vendin po shkatërrojnë sundimin e ligjit duke përdorur kompetencat e tyre në qeveri për të vënë në shënjestër dhe goditur në mënyrë të paligjshme armiqtë e tyre politikë," tha ai.
Sondazhet e opinionit publik kanë treguar se rreth 70% e republikanëve nuk e konsiderojnë legjitime fitoren e zotit Biden në zgjedhje.
Një turmë përkrahësish të zotit Trump sulmoi selinë e Kongresit më 6 janar të vitit të kaluar, ndërsa brenda saj ligjvënësit po mblidheshin për të certifikuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Lexoni edhe këtë SHBA, protestues pro-Trump hyjnë në ndërtesën e KongresitAta goditën oficerët e policisë shumë më të pakët në numër, thyen xhamat, ngritën një trekëmbësh dhe vandalizuan ndërtesën historike. Ligjvënësit u detyruan të largoheshin për t’u mbrojtur, ose të mbylleshin brenda zyrave të tyre.
Disa protestues thanë se po përpiqeshin të gjenin individë të veçantë - në veçanti, zotin Pence dhe kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Vetëm orë më pas, pasi agjencitë federale të zbatimit të ligjit dhe ushtria mbërritën për të rivendosur kontrollin e Kapitolit, anëtarët e Kongresit ishin në gjendje të konfirmonin fitoren e zotit Biden në zgjedhje, duke I hapur rrugën inaugurimit të tij më vonë gjatë atij muaji.
Katër përkhrahës të zotit Trump vdiqën ditën e sulmit dhe një oficer i policisë së Kapitolit vdiq të nesërmen. Turma plagosi dhjetëra oficerë dhe në muajt pas sulmit, katër oficerë vranë veten.
Carl Tobias, një profesor në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Riçmondit, i tha agjencisë franceze të lajmeve, Agence France-Presse se veprimet e zotit Trump pas zgjedhjeve janë "të pashembullt në historinë e Shteteve të Bashkuara".
"Asnjë ish-president nuk është përpjekur të bëjë kaq shumë për të diskredituar pasardhësin e tij dhe procesin demokratik," tha prof. Tobias.
Ndërsa zoti Biden përgatitet të fajësojë ish-presidentin Trump për sulmin, disa ligjvënës republikanë akuzojnë demokratët se po përpiqen t’i shfrytëzojnë pasojat e trazirave për qëllime partiake.