Lidhje

SHBA, protestues pro-Trump hyjnë në ndërtesën e Kongresit


Mbështetës të Presidentit Donald Trump hyjnë në sallat e Kongresit
Mbështetës të Presidentit Donald Trump hyjnë në sallat e Kongresit

Një zëdhënës i Pentagonit tha se është mobilizuar Garda Kombëtare e Uashingtonit dhe e Virxhinias për të ndihmuar policinë e Kapitolit të frenojë protestuesit pro-Trump që hynë në ndërtesën e Kapitolit të mërkurën pasdite.

Ndërtesa e Kongresit amerikan u vu nën izolim kur protestuesit hynë aty në kohën që ligjvënësit ishin mbledhur në seancë për çertifikimin e votës elektorale të zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Gjendja në Kapitol dhe rreth tij është ende e tensionuar, ndërkohë që protestuesit u përplasën me policinë që ruajnë ndërtesën.

Tension në Kapitol, protestues pro-Trump hyjnë në ndërtesën e Kongresit
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:01 0:00

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, disa njerëz goditnin me grushta dyert e sallës kryesore ku zhvillohen senacat e Kongresit në përpjekje për të hyrë brenda.

Ligjvënësit ndërprenë seancat që hapën pasdite për çertifikimin e votave elektorale dhe që po zgjateshin për shkak të kundërshtimeve të disa ligjvënësve republikanë.

Udhëheqësit demokratë të Kongresit, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe udhëheqësi i pakicës së Senatit Charles Schumer, i kërkuan Presidentit Trump të bëjë thirrje që protestuesit të largohen menjëherë nga Kapitoli dhe zona rreth tij.

Njoftohet se protestuesit u përhapën kudo në ndërtesën e Kapitolit të mërkurën pasdite. Policia i shoqëroi anëtarët e Kongresit jashtë ndërtesës për arsye sigurie.

Televizioni NBC News njoftoi se një person ishte qëlluar me armë zjarri nga forcat e rendit brenda Kapitolit. Policia konfirmoi më pas se një person ishte plagosur. Sipas njoftimeve të tjera, disa oficerë policie janë lënduar.

Nënpresidenti Mike Pence tha më pas se protestuesit që kanë lidhje me dhunën në Kapitol do të ndiqen penalisht me peshën e plotë të ligjit.

Policia e Kapitolit u tha ligjvënësve në Dhomën e Përfaqësuesve të merrnin maskat e gazit që gjendeshin poshtë karrikeve të tyre dhe të përgatiteshin për t'i vendosur ato.

Policia në derën e përparme të sallës kryesore të seancave rrinte në gatishmëri me armë në duar, ndërkohë që disa persona përpiqeshin të hynin brenda.

Oficerët e policisë urdhëruan njerëzit në sallë të shtriheshin në dysheme për sigurinë e tyre.

Momentet kur protestuesit futen me dhunë në Kapitol
please wait

No media source currently available

0:00 0:00:34 0:00

Skenat kaotike erdhën pasi Presidenti Trump iu drejtua mijëra mbështetësve pranë Shtëpisë së Bardhë, duke përsëritur pretendimet e tij të pabazuara se zgjedhjet e 3 nëntorit u vodhën me manipulime në shkallë të gjerë. Zyrtarët zgjedhorë të të dyja partive dhe vëzhguesit e pavarur kanë thënë se nuk ka patur mashtrime për t’u shënuar në zgjedhjet e 3 nëntorit, të cilat zoti Joe Biden i fitoi me më shumë se 7 milion vota popullore.

Presidenti Trump, në një koment në Twitter, u bëri thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë.

Më parë, gjatë një tubimi, ai u bëri thirrje atyre të marshonin drejt Kapitolit.

Senatorët republikanë Tom Cotton dhe Ron Johnson, mbështetës të Presidentit Trump, e quajtën dhunën në Kapitol të papranueshme dhe u bënë thirrje protestuesve të shpërndahen.

Kryetarja e Bashkisë së Uashingtonit ka shpallur gjendjen e ndalim-qarkullimit duke filluar nga ora 18:00 e së mërkurës deri në orën 6 të mëngjesit.

Më herët të mërkurën, mijëra mbështetës të Presidentit Trump, duke përfshirë disa anëtarë të grupeve të dhunshme të ekstremit të djathtë, organizuan në kryeqytet demonstrata, ndërsa mbështesnin pretendimin e pabazë të presidentit se zgjedhjet u ishin vjedhur me anë të një komploti të sofistikuar.

Shumë prej tyre mbanin kapele dhe flamuj me parrullën e zotit Trump "Ta bëjmë Amerikës përsëri të Madhe”.

Presidenti foli para mijëra mbështetësve të mbledhur pranë Shtëpisë së Bardhë në lëndinën e quajtur Elipsi.

"Ne nuk do të dorëzohemi kurrë". "Ne kurrë nuk do të pranojmë. Kjo nuk mund të ndodhë. Nuk mund të pranosh humbjen kur është fjala për vjedhje," tha ai.

Duke iu referuar nënpresidentit Mike Pence që kryeson seancën në Kongres, Presidenti Trump tha:

"Shpresoj që Mike të bëjë gjënë e duhur. Kështu shpresoj. Kështu shpresoj, sepse nëse Mike Pence bën gjënë e duhur, ne do të fitojmë zgjedhjet. Kjo është gjithçka që ai duhet të bëjë… Ne duhet të mbrojmë vendin tonë, të mbështesim vendin tonë, të mbështesim kushtetutën tonë dhe ta mbrojmë kushtetutën tonë. Shtetet duan të përsëritet votimi, shtetet u vodhën. Iu dha informacion fals. Ata votuan bazuar mbi këtë dhe tani duan të përsëritet çertifikimi".

Një nga djemtë e presidentit, Donald Trump Jr., dhe avokati i tij personal, Rudy Giuliani, gjithashtu folën në tubim.

Një natë më parë disa protestues u përplasën me policinë. Policia arrestoi këtë javë drejtuesin e organizatës Djemtë Krenarë, një grup që ka mbështetur presidentin Trump. Arrestimi u bë nën akuzat për shkatërrim pasurie në lidhje me një protestë të mëparshme dhe për posedim municioni.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG