Protestë dhe reagime pas vrasjes së një 18 vjeçareje në qytetin e Ferizajt

Grupe qytetarësh dhe përfaqësues të shoqërisë civile hodhën të martën bojë të kuqe dhe vezë në drejtim të ndërtesës së policisë, prokurorisë dhe gjykatës në Ferizaj, në shenjë proteste dy ditë pas vrasjes së një 18 vjeçareje në këtë qytet.

Your browser doesn’t support HTML5

Kosovë, protestë dhe reagime pas vrasjes së një 18 vjeçareje në qytetin e Ferizajt

Sipas të dhënave të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, viktima ishte sjellë të dielen në spitalin e qytetit pa shenja jete, nga dy persona që dyshohet se janë të përfshirë në vrasje.

Prokuroria tha të hënën se njëri nga ta është arrestuar dhe tashmë ndodhet në paraburgim, ndërsa policia njoftoi të marten edhe për arrestimin e personit të dytë, që sipas medieve lokale është bashkëshorti i viktimës.

Njoftimi i policisë ndodhi në kohën sa po zhvillohej protesta, nën thirrjet “Drejtësi për Marigonën” dhe “Asnjë më”.

Para dy-tre minutash e mora konfirmimin se personi i dyshuar, Dardan Krivaqa, është arretuar para pesë minutash këtu diku në Ferizaj, njësitet policore janë në terren duke e sjellur atë në stacion të policisë”, tha Mehmet Alajdini, major në policinë rajonale të Ferizajt.

Luljeta Demolli nga Qendra për Studime Gjinore, i tha Zërit të Amerikës se shkalla e dhunës dhe vrasjes se grave në Kosovë është shqetësuese, ndërkohë që mungojnë denimet meritore për kryesit e këtyre veprave.

Denimet janë të ulta, nuk janë të larta, për këtë rast kërkojmë burgim të përjetshëm, për të dhënë edhe një mësim edhe për të edukuar e emancipuar sepse zbatimi i ligjit duhet të ndodhë. Ai po flitet se e ka mbajtur për dy javë në arrati, flitet që e ka kidnapuar nga familja, 3 muaj ajo nuk ka pasur qasje në telefon, për 24 orë flitet që është torturuar e rrahur dhe për këto vepra të shumta penale duhet të shkohet në burgim të përjetshëm”, tha zonja Demolli.

Adelina Tërshani, nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, tha se dështimi i sistemit të drjetësisë në Kosovë po rrezikon sigurinë e grave në vend.

Duhet të rishikohen organet e drejtësisë, e gjithë hallkëa e organeve të drejtësisë, të rishikohen njerëzit të cilët kanë dështuar në rastet e kaluara kur nuk i është dhënë denimi meritor vrasësve ose përdhunuesve të grave. Këta duhet të denohen në mënyrë që mos të kemi më recidivista të cilët e marrin jetën e grave në Kosovë”, tha ajo.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha pas protestës se lufta kundër dhunës ndaj grave është përparësi e institucionit që ajo drejton dhe e qeverisë së vendit në përgjithësi.

“Duke parë që rastet e dhunës në familje në vazhdimësi po rriten ne kemi konsideruar që duhet ta prioritizojmë ashtu që të ndërmarrim veprime urgjente në raport me parandalimin e këtyre rasteve. Si ministri e Drejtësisë deri tani kemi ndërmarrë disa veprime, kemi zgjedhur koordinatorin nacional kundër dhunës në familje, kemi funksionalizuar grupin ndërministror për adresim të dhunës në familje që është jashtëzakonisht e rëndësishme”, tha zonja Haxhiu.

Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë regjistruar një mijë e 132 raste të dhunës ndaj gruas, 22 më shumë se në periudhën e njejtë të vitit të kaluar kur u regjistruan një mijë e dhjetë raste. Sipas policisë në vitin 2020 janë raportuar 7 vrasje të grave, ndërsa në gjashtë muajt e parë të këtij viti, 2 vrasje. Por, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave në vazhdimësi thonë se ky numër nuk pasqyron gjendjen reale meqë edhe më tutje dhuna në familje në Kosovë konsiderohet si problem që duhet të mbetet brenda mureve të shtëpisë.

Reagime për vrasjen në Ferizaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha pas ceremonisë së varrimit të 18 vjeçares se ka shumë punë përpara në përmirësimin e sistemit të drejtësisë në vend.

Bëhet fjalë për një të dyshuar i cili ka precedent penal edhe prej viteve të mëhershme në vepra të shumta që kanë qenë shkelje të ndryshme të ligjit. Kjo tregon se sa shumë punë kemi përpara që ta drejtojmë sistemin e drejtësisë, në mënyrë që të veprojë pa vonesa, të gjykojë drejt, dhe të ndëshkojë kriminelët e keqbërësit në përgjithësi”, tha kryeministri Kurti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha në një reagim në rrjetet sociale se vetëm denimi i atyre që po kryejnë krime ndaj grave në Kosovë, mund ta ndryshojë situatën e trishtë të pabarazisë në vend.

Ne nuk mund të heshtim apo të vazhdojmë të lejojmë trajtimin e këtyre rasteve si çështje familjare. Jemi dëshmitarë të vrasjeve si rezultat i shmangies nga ligji të dhunuesve, ndaj kjo situatë duhet të marrë fund. U bëjë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të punojnë fort dhe pandërprerë derisa kryesit e veprave të tilla të gjenden prapa grilave”, shkroi ajo.