Në Prishtinë të martën vazhdoi procesi gjyqësor ndaj gjashtë personave të akuzuar në lidhje me vrasjen e politikanit lokal serb, Oliver Ivanoviç, rreth tre vite më parë. Të gjashtë u arrestuan në vitin 2018, në dy operacione të ndara në veri të Kosovës.
Your browser doesn’t support HTML5
Sipas akuzës së prokurorisë së posaçme të Kosovës, të akuzuarit dyshohen për veprën penale pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal lidhur me veprat penale vrasje e rëndë dhe veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
“Me 16 janar 2018, në Mitrovicën Veriore, rruga Sutjeska, rreth orës 8:14 të mëngjesit, në hyrje të zyrës së iniciativës qytetare, viktima Oliver Ivanoviç është qëlluar me armë zjarri të kalibrit 9 milimetër. Në të është shtënë gjashtë herë nga vrasësi i panjohur, nga një veturë në lëvizje e llojit Opel Astra. Veturës i ishin hequr tabelat e regjistrimit në kohën e të shtënave, gjë që shtyn në veprimet e ndërmarra për të fshehur identitetin e veturës dhe atyre që gjendeshin në të”, tha prokurori, Burim Qerkini.
Prokurori Qerkini shtoi se identiteti i atyre që kryen këtë akt mbetet i panjohur sot e kësaj dite. Por sipas tij, ka prova të mjaftueshme që të akuzuarit vec e vec kanë ndihmuar në kryerjen e kësaj vepre dhe fshehjen e provave.
“Ata në vazhdimësi kanë vepruar bashkërisht me qëllim që të shrijnë kontrollin në pjesën veriore të Mitrovicës, sin ë rrafshin politik, ashtu edhe ekonomik e me këtë kanë kryer veprime të përgjithshme në llogari të grupit të organizuar kriminal. Ky aktivitet arriti kulmin e tij me veprimet e tyre të qëllimshme dhe me ndihmën në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë. Secili nga të pandehurit në ditën kritike kur ndodhi vrasja ka kryer veprime konkrete inkriminuese për avancimin e qëllimit të jashtëligjshëm të këtij grupi”, theksoi zoti Qerkini.
Të akuzuarit Nedeljko Spasojeviç, Marko Roshiç, Silvana Arsoviç, Dragisha Markoviç, Rade Basara dhe Zharko Jovanoviç thanë se janë të pafajshëm. Zharko Jovanoviç pranoi fajësinë vetëm për veprën armëmbajtje pa leje.
Prokuroria kishte ftuar të martën edhe ish-bashkëshorten e politikanit serb, Oliver Ivanoviç, Marina Ivanoviç si palë e dëmtuar, por ajo tha se ishte e papërgatitur për të mbajtur një fjalë hyrëse, pasi kishte shkuar në seancë duke menduar se ishte ftuar si dëshmitare.
“Unë kam marrë ftesën ku më është thënë se duhet të paraqitem në gjykatë në cilësinë e dëshmitares. Plotësisht jam e papërgatitur, tani mora vesh se jam e ftuar si palë e dëmtuar dhe kam dashur të më sqarohet kjo ftesë”, tha ajo.
Disa nga avokatët mbrojtës kërkuan nga gjykata që të ndërpresë masën e paraburgimit ndaj të pandehurve.
“Kjo çështje nëse vazhdon kështu duket se do të zgjasë tepër shumë dhe do të zvarritet me vite të tëra. Prandaj ajo që ne kërkojmë nga gjykata është që ta ndërprejë masën e paraburgimit sepse është një masë e padrejtë, tepër e rëndë për Rade Basara, për të cilin nuk mund të vërtetohet se ka qenë i implikuar në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviçit”, tha Tomë Gashi avokat i Rade Basara.
“Jemi të sigurt në pafajësinë e saj dhe se prokuroria nuk ka asnjë provë të vetme që mund të vërtetojë se klientja ime në cfarëdo lloj mënyrë është e përfshirë në grup të organizuar kriminal dhe që mund ta vërtetojë dyshimin mbi veprat me të cilat ngarkohet”, tha Jovana Filipoviç, avokate e Silvana Arsoviç.
Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me 30 gusht. Oliver Ivanoviç i cili udhëhiqte nismën qytetare serbe, "Liria, Demokracia, Drejtësia", u qëllua me armë zjarri më 16 janar të vitit 2018, para zyrës së tij në veriun e Mitrovicës. Vrasja e tij ngjalli reagime të shumta në Kosovë dhe Serbi.