Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se një e katërta e banorëve të Bashkimit Evropian aktualisht kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit.
Pas një fillimi të ngadaltë të fushatës së vaksinimit, BE-ja ka përshpejtuar ritmin e imunizimit ndërsa gjatë javëve të fundit janë rritur furnizimet me vaksina në bllokun 27 anëtarësh.
“Vaksinimi është përshpejtuar në Bashkimin Evropian. Kemi tejkaluar shifrën prej 150 milionë vaksinimesh”, shkruante në rrjetin social Twitter zonja Ursula von der Leyen. “Një e katërta e evropianëve kanë marrë dozën e parë. Do të kemi doza të mjaftueshme për të vaksinuar 70% të të rriturve në BE deri në korrik.”
Bashkimi Evropian ka filluar shpërndarjen e vaksinave kundër koronavirusit të financuara nga BE-ja në të gjithë Ballkanin, ku Kina dhe Rusia prej muajsh kanë furznizuar atë rajon me vaksinat tepër të nevojshme.
Komisioni Evropian njoftoi muajin e shkuar se 651,000 doza të vaksinës Pfizer do të dërgoheshin në Serbi, Bosnjë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Shqipëri dhe Kosovë. Dërgesat do të jenë javore nga maji deri në muajin gusht.
Lexoni edhe këtë Kosovë, fillon vaksinimi i të moshurave kundër COVID-19
Vaksinat financohen nga një paketë prej 70 milionë eurosh, e cila u miratua nga Komisioni në muajin dhjetor. Shumica e vendeve të Ballkanit nuk kanë pasur sukses të sigurojnë vaksina, me përjashtim të Serbisë e cila pati filluar një fushatë suksesshme vaksinimi, kryesisht për shkak të dërgesave të mëdha të vaksinës kineze Sinophram dhe vaksinës ruse Sputnik V.
Lexoni edhe këtë Mbërrijnë në Tiranë vaksinat ruse