Kosovë, fillon festivali i filmit rom

Rreth 30 filma zhanresh të ndryshme, të animuar, dokumentarë, të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër nga e gjithë Evropa po shfaqen këto ditë në kuadër të edicionit të gjashtë të festivalit të filmit që trajton çështje që lidhen me jetën e komunitetit rom, “Rolling Film Festival”.

Your browser doesn’t support HTML5

Kosova zhvillon festivalin e filmit për komunitetin rom

Avni Mustafa, drejtor i këtij festivali, i tha Zërit të Amerikës se synimi i festivalit te sivjetmë është shfaqja dhe vlerësimi i trashëgimisë kulturore të komunitetit rom, si formë e shmangies së paragjykimeve që jo rrallë e ndjekin këtë komunitet.

“Ne besojmë se ende ka nevojë t’i tregojmë jo vetëm komunitetit rom por edhe atyre që nuk i takojnë këtij komuniteti se ne vërtetë kemi kulturën tonë unike, vlerat tona, trashëgiminë tonë kulturore që kemi dëshirë ta shfaqim te njerëzit ashtu që njerëzit të mund të na njohin më mirë dhe të paktën të kemi trajtim të barabartë me pakicat tjera në Kosovë”, thotë ai.

“Rolling Film Festival” u oragniza për herë të parë në vitin 2013, dhe mbahet çdo të dytin vit që atëherë. Zoti Mustafa thotë se gjendja e romëve në Kosovë mbetet pothuajse e pandryshuar.

“Komuniteti rom në Kosovë është më i marxhinalizuari dhe më i diskriminuari. Kur flasim për përfshirje dhe integrim në shoqëri të Kosovës është situatë shumë e rëndë, posaçërisht nëse flasim për punësimin ku 98 për qind e 38 mijë romëve që jetojnë në Kosovë janë papunë. Organizatat nga shoqëria civile mundohen dhe bëjnë punë shumë të mirë por ajo që kemi nevojë më shumë është përfshirja e institucioneve në trajtimin e këtyre çështjeve”, thotë ai.

Drejtori artistik i këtij festivali, Sami Mustafa, tha se për herë të parë i gjithë festivali për katër ditë me radhë do të mbahet online për shkak të pandemisë së COVID-19.

“Të gjithë filmat do të shfaqen online në një faqe të posaçme interneti që e kemi krijuar, një platformë për shfaqje filmash. Këtë vit po ashtu për herë të parë do të kemi program për fëmijët ku do t’u rrëfehen përralla të vjetra rome si dhe po ashtu kemi punëtori për anti gjipsizmin në Kosovë”, thotë zoti Mustafa.

Ai thotë se kjo ngjarje kulturore ka një rëndësi të madhe për komunitetin rom në Kosovë, gjendja e të cilit është përkeqësuar që nga përhapja e pandemisë.

“Përfundimisht është duke u përkeqësuar, sidomos kur kemi parasysh se shumica e tyre nuk kanë as punë dhe ky është problem madhor i komunitetit rom. Po ashtu janë kushtet e jetesës, shumica jetojnë në kushte të rënda dhe nuk i kanë mundësitë të përballen me pandeminë si pjesa tjetër e njerëzve”, thotë ai.

Përfaqësues të organizatave humanitare në vazhdimësi tërheqin vërejtjen për diskriminimin që përjeton pakica rome në Kosovë. Ata thonë se pavarësisht që ky komunitet është integruar në sistemin politik të vendit, të drejtat e pjesëtarëve të këtij komuniteti janë shpesh herë të cunguara. Një pjesë e madhe e tyre jetojnë në varfëri të thellë, me mungesa të mëdha ushqimore e shëndetësore, pa shkollë, pa punë dhe pa strehim.