Valza Selimi, drejton një kafene në qendër të Prishtinës e cila është hapur para tre javësh.
Sot për herë të parë, kafeneja ishte bosh për shkak të masave të reja të qeverisë së Kosovës për të frenuar përhapjen e koronavirusit, të cilat përfshijnë mbylljen e kafene e restoranteve nga sot deri më 18 prill.
“Ne ka tri javë që e kemi hapur lokalin, pra është një goditje mjaft e rëndë për biznesin tonë pasi që jemi në hapat e parë dhe kemi shpresuar shumë e kemi pasur vullnetin maksimal për një brend të ri siç është ky, por tani situata pandemike ka ndikuar shumë”, thotë Valza.
Masat e reja lejojnë shërbimin “merr me vete”. Por, Valza thotë se për një biznes të ri është thuajse e pamundur të mbijetojë vetëm nëpërmjet këtij shërbimi.
“Nëse kjo situatë vazhdon bëhet edhe më keq. Ne numrin e punëtorëve e kemi shkurtuar detyrimisht nga sot, nga nëntë sa ishim gjithsej tash jemi vetëm katër punëtorë. Nuk është kjo dëshira jonë dhe as e punëtorëve por kjo situatë na ka detyruar meqë vetëm me ‘take away’ nuk mund të përballojmë numër më të madh të punëtorëve”, thotë ajo.
Në kuadër të masave kufizuese është ndalimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 05:00 si dhe pezullimi i veprimtarive të qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve thelbësore siç janë dyqanet ushqimore dhe farmacitë.
Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë, në një bisedë për Zërin e Amerikës tha se shtrëngimi i masave duhet të ndodhë krahas ndihmës financiare të shtetit për veprimtaritë e dëmtuara.
“Sektori i gastronomisë si një prej sektorëve që është goditur më së rëndi që nga shpërthimi i pandemisë, me të drejtë shpreh shqetësimin sa i përket masave të reja ose paralajmërimeve për zgjatje të këtyre masave për një kohë të pacaktuar. Ajo që duhet të ndodhë është që në anën tjetër të ketë përkrahje proporcionale nga institucionet e vendit duke e ditur normalisht që kufizmi i aktivitetit të punës ndalon të hyrat e ndërmarrjes dhe rrjedhimisht mund të lërë një pjesë të madhe të punonjësve pa të ardhurat e tyre mujore”, thotë ai.
Zoti Zeka thotë se vonesat e mbështetjes për sektorin privat nga qeveria, i shkaktojnë dëme të mëdha ekonomisë.
“Qeveria e re vjen në një kohë delikate, realisht ne jemi ankuar gjatë tërë kohës për vonesën në zbatimin e masave të parapara edhe me ligjin për rimëkëmbje ekonomike, edhe me masat tjera. Për rikujtim, ekzistojnë disa masa të prillit të vitit të kaluar të cilat nuk kanë gjetur asnjëherë zbatim dhe sektori privat shpesh është lënë në mëshirë të fatit”, thotë zoti Zeka.
Masat shtrënguese të qeverisë së Kosovës u miratuan në një periudhë të shtimit të numrit të të prekurve dhe atyre që kanë humbur jetën nga pasojat e infektimeve.
Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, në 24 orët e fundit janë konfirmuar 685 të infektuar ndërsa 14 persona kanë humbur jetën nga pasojat e COVID-19ës. Të dhënat e fundit e çuan në 95 mijë e 341 numrin e përgjithshëm të të infektuarve dhe në 1 mijë e 948 të atyre që kanë humbur jetën.