Kosovë: Parlamenti miraton buxhetin në lexim të parë

Me 64 vota për, parlamenti i Kosovës miratoi të hënën në parim projektligjin për buxhetin e vitit 2021, votimi i dytë i të cilit pritet të martën. Miratimi i buxhetit vlerësohet me rëndësi para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që pritet të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm si dhe për t’u përballur me pasojat e pandemisë së COVID-19.​

Your browser doesn’t support HTML5

Kosovë: Parlamenti miraton buxhetin në lexim të parë

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike, Arben Gashi, tha se vota kundër buxhetit është votë për krizën, duke pasur parasysh se parlamenti pritet të shpërndahet sapo Gjykata Kushtetuese të publikojë vendimin përfundimtar me të cilin shpallet i pavlefshëm votimi i qeverisë së kryeminsitrit Avdullah Hoti.

“Është jashtëzakonisht me rëndësi që vendi të ketë buxhet, të ketë buxhet që institucionet themelore të shtetit të funksionojnë edhe në momentin kur kuvendi shpërndahet pra ne sot nuk duhet të shihemi si pozitë dhe opozitë, sepse sot pozita dhe opozita nuk ekzistojnë. Pra ne duhet të shihemi sot si përfaqësues të popullit dhe interesave të tyre, kaq. Ne duhet sot të japim sinjalin e bashkimit e të çojmë mesazhin se për interesa shtetërore jemi të angazhuar dhe të bashkuar”, tha zoti Gashi.

Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re si dhe përfaqësuesit e pakicave shprehën mbështetjen e tyre për këtë projektligj, megjithëse shfaqën kritika dhe propozime për të trajtuar më mirë nevojat e qytetarëve.

“Sigurisht duke e pasur për bazë rëndësinë e temës për të cilën sot jemi këtu, sepse nuk jemi këtu për ta përkrahur qeverinë, se qeveria vendimi e dërgoi në shtëpi dhe mirë bëri sepse u pa që nuk funksionon, mirëpo jemi këtu për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve të vendit”, tha Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Të gjendet mundësia që të implementohet propozimi jonë që të ndahen 100 euro për secilin qytetar, ndihmë direkte nga buxheti i vendit”, tha Gazmend Abrashi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në bazë të ligjeve në fuqi, në rast se buxheti nuk miratohet deri me 31 dhjetor, parlamenti mund të autorizojë shpenzimin e një të dymbëdhjetës së buxhetit të vitit të kaluar. Por kjo shumë mund të shpenzohet vetëm deri në fund të muajit shkurt.

Hekuran Murati, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Transfere, propozoi që të votohet zgjatja e ndarjes buxhetore deri në tre muaj, meqë sipas tij parlamenti rrezikon të shpërndahet para se të ketë mundësinë të përfundojë dy leximet e detyrueshme të këtij buxheti.

“Fjala është që të votohet vendimi ashtu sic parashihet me Ligjin për Financa Pubike, neni 24, paragrafi 2 ku thuhet se kuvendi mund të zgjasë ndarjet buxhetore deri në tre muaj në rast të mungesës së një ligji për ndarje buxhetore në fuqi. Pra sipas ligjit muaji janar është i mbuluar me automatizëm në rast se nuk ka ndarje buxhetore, kurse kuvendi me një vendim sot mund të bëjë që të kemi ndarje buxhetore edhe në shkurt edhe në mars”, tha zoti Fetahu.

Por, deputetët nuk u pajtuan me këtë propozim, duke votuar menjëherë më pas, me 64 vota për, propozimin e Lidhjes Demokratike që leximi i dytë i projekt buxhetit të vitit 2021 të mbahet të martën.

Sipas kornizës afatmesme të shpenzimeve 2020-2030, buxheti i Kosovës për vitin 2021, kap vlerën e 2.4 miliardë eurove. Komuniteti i biznesit në Kosovës, Bashkimi Evropian dhe mekanizma të tjerë kanë bërë thirrje që parlamenti i Kosovës të mos shpërndahet pa u miratuar ky buxhet.

Buxheti i Kosovës viteve të fundit nuk ka arritur të miratohet asnjëherë brenda afatit ligjor pra me 31 dhjetor. Buxheti i vitit 2020 u miratua në muajin mars të këtij viti, ndërkaq buxheti i vitit paraprak në shkurt të vitit 2019.