Kosovë: Rritje e numrit të rasteve me koronavirus

Të dielën mbrëma Kosova konfirmoi edhe 49 raste të reja të të prekurve nga koronavirusi duke e çuar në 1 mijë e 486, numrin e përgjithshëm të të prekurve. Qershori shënoi periudhën e re të lehtësimit të masave kufizuese por edhe të shtimit të rasteve.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike kreu 265 teste të dielën pas të cilëve u konfirmuan 49 rastet e reja nga të cilët; 22 nga komuna e Vushtrrisë, 7 nga komuna e Pejës, 5 nga komuna e Prishtinës, 3 nga komuna e Gjilanit, 3 nga komuna e Prizrenit, 2 nga komuna e Istogut, 2 nga komuna e Mitrovicës dhe nga 1 rast në Fushë Kosovë, Skenderaj, Viti dhe Suharekë.

Vetëm në tri ditët e fundit janë regjistruar 160 raste të reja ndërsa dy veta humbën jetën nga pasojat e sëmundjes.

Në një bisedë me Zërin e Amerikës më herët gjatë së dielës, infektologu Izet Sadiku, tha se Kosova rrezikon të përjetojë një valë të re infektimesh.

“Vetëm dy ditë kemi pasur 58 dhe 53 raste që është ndër numrat më të mëdhenj të rasteve, pas një dite që i kemi pasur 79 me 12 prill nëse nuk gaboj. Diçka e tillë është pritur mirëpo ne do të duhej të përgatitemi e të marrim masa si respektimi i masave dhe kontrolli ndaj respektimit të tyre sepse rritja e vazhdueshme e këtij trendi rrezikon që institucionet që merren me këtë problematikë mos të kenë kapacitete të përballen me numrin e rasteve, sepse rritet numri it ë sëmurëve që kanë nevojë për hospitalizim”, tha ai.

Aktualisht në Klinikën Infektive janë të shtrirë 40 persona, shumica prej të cilëve kanë gjendje të qëndrueshme. Por, zoti Sadiku thotë se nëse ky numër shkon duke u rritur, mundësitë për ta përballuar zvogëlohen. Ai e cilëson gjendjen si kritike, ndërsa bën thirrje për mbikëqyrje më të madhe dhe pasoja ligjore për ata që nuk po i respektojnë masat mbrojtëse.

“Lirimi i masave që është bërë në Kosovë ka ndikuar që numri të rritet, mirëpo përkundër lehtësimit të masave, qytetarët duhet të jenë të bindur që kjo nënkupton rritjen e përgjegjësisë individuale e që nënkupton përdorimin e masave mbrojtëse siç janë maskat të detyrueshme, mbajtja e distancës dhe higjienës. Këto janë gjëra shumë më të lehta sesa periudha të cilën e kemi kaluar kur kemi qenë të karantinuar”, thotë ai.

Your browser doesn’t support HTML5

Kosovë: Rritje e numrit të rasteve me koronavirus

Zoti Sadiku thotë se tashmë duhet të jetë e qartë për të gjithë se jeta e përditshme nuk do të jetë më e njëjtë dhe qytetarët duhet të mësohen të jetojnë me masa mbrojtëse, deri në zbulimin një vaksine apo ilaçi shërues, gjë që, thotë ai, mund të ndodhë diku deri në fund të këtij viti.

Deri të dielën mbrëma 33 veta kanë humbur jetën nga pasojat e COVID-19.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se 25 janë shpallur sot të shëruar duke e çuar në 953 numrin e përgjithshëm të të shëruarve.