Kosovë, certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit

Kosovo/government

Kosovë, certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, certifikoi të mërkurën rezultatet e votimeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit duke i hapur rrugën procesit të ngritjes së institucioneve të reja.

Përfundimisht, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 26.27 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës 24.54 për qind, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 21.23 për qind, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate ka fituar 11.51 për qind, Lista Serbe ka fituar 6.40 për qind dhe koalicioni i Nismës Socialdemokrate, Aleancës Kosova e Re dhe Partisë së Drejtësisë ka fituar 5 për qind.

Në bazë të këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka 29 vende në parlamentin 120 vendesh, Lidhja Demokratike e Kosovës ka 28 vende, Partia Demokratike 24 vende, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate ka 13 vende dhe koalicioni NISMA-AKR-PD ka 6 vende. Lista Serbe ka fituar 10 vende aq sa i takojnë komunitetit serb.

Nga dita e sotme, vendi ka një afat prej tridhjetë ditësh për mbledhjen e parë të parlamentit.

Asnjë nga subjektet politike nuk e ka numrin e mjaftueshëm të deputetëve për ta formuar qeverinë dhe kjo shtynë partitë politike që të bëjnë koalicione paszgjedhore.

Sipas kushtetutës, presidenti i propozon parlamentit kandidatin për kryeministër nga lëvizja Vetëvendosje që është fitues i zgjedhjeve. Nëse kabineti i propozuar prej tij nuk siguron votat e mjaftueshme, përkatësisht së paku 61 vota, atëherë presidenti brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër dhe nëse as herën e dytë nuk formohet qeveria, atëherë presidenti i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Tashmë është e qartë që presidenti i vendit do t’i jap fillimisht mandatin kandidatit të lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë kanë harmonizuar një pjesë të programit qeverisës ndërsa pritet të fillojnë diskutimet politike për ndarjen e pozitave qeverisëse.

Njohës të çështjeve politike në Kosovë në vazhdimësi kanë tërhequr vërejtjen për zvarritje të procesit të certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të gjashtë tetorit, duke nënvizuar se një zvarritje e tillë mund të sjellë boshllëk institucional në Kosovë. Ndërkohë që edhe diplomatët perëndimor u kanë bërë thirrje të dy partive fituese që të punojnë për themelimin sa më të shpejtë të qeverisë së re e cila do të përballet me sfidat e brendshme dhe të jashtme të Kosovës.