Për një politikan të ri, ekspozimi në median tradicionale dhe sociale ka rëndësi kritike për rizgjedhje. Zëri i Amerikës ndoqi dy ligjvënës të rinj amerikanë, republikanin Pete Stauber të Distriktit të 8-të të Minesotës dhe anëtaren demokrate të Kongresit, Katie Porter, të distriktit të 45-të në Kaliforni. Me projektin "Në ngjitje”, korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti e Zërit të Amerikës tregon se si ish-profesorja e së drejtës Katie Porter po vë në jetë përvojën e saj si juriste dhe po zë faqet e para të mediave.
Një herë në dy vjet, 435 anëtarë të Kongresit fillojnë mandatet e tyre në Kapitol. Pothuajse një ndër katër mes anëtarëve aktualë, nuk kanë qenë kurrë më parË në politikë. Sfida për ta është që të bien në sy dhe shumë prej tyre dallojnë për shkak të prejardhjes së tyre.
Por në janar, përfaqësuesja e re Katie Porter - një grua e bardhë amerikane - nuk ishte shumë e njohur jashtë distriktit të saj në Kaliforni. Një muaj më pas, stili i saj i të pyeturit e ndryshoi këtë realitet.
Më 26 shkurt ajo i drejtoi pytje Drejtorit Ekzekutiv të agjencisë së historisë së kreditit Equifax…
"A do të ishit i gatshëm të ndani sot me ne numrin tuaj të sigurimit shoqëror, ditëlindjen dhe adresën tuaj në këtë seancë publike?"
"Nuk do të ndjehesha shumë komod ta bëja këtë. Të më falni, por do të preferoja të mos ta bëja një gjë tillë”, u përgjigj Mark Begor i agjencisë Equifax.
"Pse avokatët tuaj po argumentojnë në gjykatë federale se nuk është shkaktuar asnjë dëm nga shpërdorimi i të dhënave nga kompania juaj?", vazhdoi zonja Porter.
"E nderuar anëtare e Kongresit, nuk mund të komentoj për ato që bëjnë avokatët tanë ...", tha zoti Begor.
"Zotëri, më falni por ju i punësoni ata avokatë," u përgjigj ajo.
Një muaj më pas ajo ishte përballë kreut të kompanisë Wells Fargo.
12 Mars 2019
"A po gënjeni një gjykatës federal apo po më gënjeni mua dhe kongresin?", pyeti ajo.
Një muaj më pas i drejtoi pyetje shefit ekzekutiv të kompanisë JPMorgan Chase.
10 Prill 2019
"Zoti Dimon, ju dini se si të shpenzoni 31 milion dollarë rrogë në vit dhe nuk mund të llogarisni se si të plotësoni një mungesë prej 567 dollarësh në muaj?", pyeti ajo.
Është një teknikë interviste mjaft efektive gjatë një seance në Kongres, ku çdo anëtar ka vetëm pesë minuta kohë të bëjë pyetje.
"Unë vras mendjes se ‘çfarë mund të bëj në këtë seancë që të hap një bisedë, jo midis meje dhe dëshmitarit, por midis publikut amerikan dhe dëshmitarit", thotë ajo.
Është një stil që ajo e perfeksionoi, nën kujdesin e senatores dhe kandidates aktuale për presidente Elizabeth Warren, profesorja e saj në Fakultetin Juridik të Harvardit.
Pyetjet depërtuese tërhoqën vëmendjen e udhëheqjes së Dhomës së Përfaqësuesve dhe së shpejti zonja Porter fitoi emër si një zë për demokratët. Ajo që e vuri atë në qendër të vëmendjes - por në konflikt me kryetaren e Dhomës, Nancy Pelosi - ishte ky njoftim që ajo bëri në Twitter.
17 qershor 2019
"Unë kam vendosur të mbështes hapjen e procesit për shkarkimin e mundshëm të presidentit. Nuk ishte e lehtë të arrija këtë përfundim”, tha ajo.
Përfaqësuesit e rinj përballen me sfidën e ekuilibrit mes punës në Kongres dhe jetës familjare.Zonja Porter udhëton nga një anë e vendit në tjetrën çdo fundjavë mesatarisht 30,000 kilometra në avion çdo muaj.
"Unë kam tre fëmijë të mrekullueshëm, Luke, Paul dhe Betsy. Më i madhi është 13 vjeç. "
Ata jetojnë në Kaliforni. Zonja Porter është e ndarë nga babai i tyre.
"Nuk është se më parë e kisha shumë të lehtë kujdesin për fëmijët, por është ndryshe kur bën një punë që kërkon që të jesh mijëra kilometra larg, dhe të udhëtosh me mijëra kilometra dhe të varesh nga programi dhe seancat e Kongresit”, thotë zonja Porter.
Është gjithashtu e vështirë për një përfaqësues të ri të Kongresit që të gjejë banesë në Uashington. Banesat përreth Kapitolit janë të kushtueshme. Zonja Porter ka marrë me qera një dhomë.
"Ka një banjë të vogël dhe një kuzhinë fare të vogël. Ka një divan që hapet dhe bëhet krevat. Kur vijnë fëmijët flemë të gjithë bashkë dhe bëhet si kampim,” thotë ajo.
Porter thotë se do të vendosë së shpejti nëse do t’i sjellë fëmijët nga Kalifornia në Uashington në vitin e dytë të Kongresit.