Lidhje

Nga afër me dy ligjvënës të rinj amerikanë


Kongresi i ri filloi punën para pak ditësh me një grup përfaqësuesish, në mes të të cilëve ka shumë që nuk kanë përvojë politike. Ky grup i larmishëm racor ka thyer deri tani disa rekorde: ka numrin më të madh të grave ndonjëherë në Kongres, ka ligjvënëset e para myslimane dhe të popullatës indigjene dhe ka një ish-specialist të Forcave Speciale të ushtrisë amerikane, si dhe dy përfaqësues, njëra me moshën më të re, tjetri më i moshuari të zgjedhur ndonjëherë për herë të parë në Kongres. Zëri i Amerikës do t’ju sjellë momente nga puna e përditshme dhe sfidat e ligjvënësve në vitin e tyre të parë në detyrë. Korrespondentja Carolyn Presutti na njeh me dy prej tyre, të cilët për herë të parë i “ngjiten kodrës” së Kongresit amerikan:

Pete Stauber, ligjvënës republikan, luan hokej. Ai arriti të fitojë në një distrikt që tradicionalisht votonte për demokratët.

Katie Porter, ligjvënëse demokrate. Profesore e së drejtës në Kaliforni; e diplomuar në Harvard dhe Yale. Nënë e divorcuar me tre fëmijë. Pa përvojë politike, arriti të fitojë përballë ligjvënësit të mëparshëm republikan.

Të dy janë ligjvënës të rinj. Zëri i Amerikës do t’i ndjekë gjatë vitit të parë në detyrën e përfaqësuesve legjislativë, si pjesë e Kongresit që harton ligjet e vendit.

Historikisht këto vende mbusheshin me burra të bardhë. Por zgjedhjet e nëntorit të kaluar e kanë bërë këtë Kongresin më të larmishmin në historinë amerikane.

Katie Porter bën pjesë në grupin më të madh të grave ligjvënëse që janë zgjedhur ndonjëherë… afro 24% e Kongresit.

“Tema e parë që dua të punoj është financimi i fushatave. Ky do të jetë projektligji i parë që Dhoma e Përfaqësuesve merr në shqyrtim,” thotë ligjvënësja Porter.

“Projektligji i parë që dua të analizoj lidhet me vendet e punës dhe ekonominë, një ligj që mbështet rritjen dhe ruajtjen e vendeve të punës,” thotë ligjvënësi Stauber.

Fëmijët e ligjvënëses Porter do të qëndrojnë në Kaliforni deri në fund të vitit shkollor dhe pastaj do të vendosen në Uashington.

Fëmijët e ligjvënësit Stauber do të qëndrojnë në Minesota së bashku me bashkëshorten, Jodi. Zoti Stauber dhe tre ligjvënës të tjerë do të vendosen në një banesë të përbashkët.

“Dhoma ime është rreth 4 me 3 metra, ka edhe një shtrat marinar për familjen”.

Këta ligjvënës të rinj e dinë se do të jetë një vit i vështirë. Tani që demokratët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, Pete Stauber e ka të qartë se Presidenti Trump, i cili e mbështeti gjatë fushatës, do të jetë në vëmendjen e prokurorëve që po hetojnë rolin e Rusisë në zgjedhjet e 2016-ës.

“Nuk mund t’i ndaloj në punën e tyre, nëse këtë do shumica në Dhomën e Përfaqësuesve. Por nuk mendoj se këtë e do shumica e amerikanëve,” thotë zoti Stauber.

Deri në këtë moment, përvoja si ligjvënës është ende e paqartë.

Madhësia dhe vendndodhja e zyrës varet nga shorti që u bie.

"Do ta lyej zyrën ngjyrë blu të ndezur,” thotë zonja Porter.

Megjithëse kanë kaluar dy muaj që nga zgjedhjet, këta ligjvënës ende nuk janë mësuar me realitetin e ri.

"Ende më duket i çuditshëm titulli ‘ligjvënës’,” thotë zoti Stauber.

"Njerëzit më pyesin, u tregoj se jam profesore e së drejtës, se kam luftuar për të drejtën e konsumatorit, se jam nënë. Por fakti që jam ligjvënëse është një identitet i ri, pra përbën ndryshim,” thotë zonja Porter.

Në muajt në vazhdim do t’i vizitojmë rregullisht këta ligjvënës për të mësuar si po i përshtaten këtij roli të ri.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG