Lidhje

Vdes Xheraldinë Ferraro, ish-kandidate për nënpresidente e SHBA


Vdes Xheraldinë Ferraro, ish-kandidate për nënpresidente e SHBA
Vdes Xheraldinë Ferraro, ish-kandidate për nënpresidente e SHBA

Xheraldinë Ferraro, gruaja e parë kandidate për nënpresidente e një partie të madhe në Shtetet e Bashkuara vdiq më 26 mars në Boston të shtetit Masaçusets. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Kent Klain na informon nga Shtëpia e Bardhë se fushata presidenciale e zonjës Ferraro në vitin 1984, megjithëse e pa suksesëshme i hapi rrugën kandidimit të grave të tjera për Shtëpinë e Bardhë.

Ish kongresistja dhe kandidate për nënpresidente, Xheraldinë Ferraro, vdiq në moshën 75 vjeçare. Ajo luftoi me kancerin në gjak për më shumë se një dekadë.

Ferraro njihej pak si kongresiste e kontesë Kuins të Nju Jorkut, kur në vitin 1984, Uollter Mondeil, kandidati i Partisë Demokrate për president, e zgjodhi për postin e nënpresidentit.

Gruaja e parë që emërohej nga një parti e madhe për Shtëpinë e Bardhë iu prezantua vetë amerikanëve në kuvendin kombëtar të Partisë Demokratike.

"Qendroj para jush sonte për të deklaruar se Amerika është toka ku ëndërrat mund të bëhen ralitet për të gjithë ne”.

Fjalimi i saj për pranimin e kandidaturës u prit me tetë minuta ovacione nga delegatët e kuvendit. Ferraro bëri një fushatë intensive kundër politikave të presidentit republikan, Ronald Regan, dhe për të drejtat e grave.

"Kjo kandidaturë nuk është vetëm simbolike. Ajo është një arritje e madhe. Nuk është vetëm një deklaratë. Ajo është një lidhje mes grave në gjithë Amerikën”.

Ferraro ishte dhe mbetet kandidatja e parë italiano-amerikane që kandidonte në emër të një partie të madhe.

Kandidatura e saj, megjithatë, nuk ishte pa kontradikta. Ajo u gjet shpesh përballë protestuesve të zëmëruar rreth pikëpamjeve të saj për të drejtat e abortit.

U ngritën gjithashtu pyetje lidhur me praktikat e biznesit të bashkëshortit të saj Xhon Xakaro, i cili më pas pranoi fajësinë ndaj akuzave për abuzime.

Zoti Regan dhe nënpresidenti Xhorxh Bush u rizgjodhën në një prej garave presidenciale më të njëanëshme në historinë amerikane, duke fituar ndaj dyshes Mondeil-Ferraro në 49 nga 50 shtetet amerikane.

Mondeil e kujtoi dje ish partneren e tij si pioniere për drejtësinë ndaj grave dhe për një shoqëri më të hapur.

Ish presidenti Xhorxh Herbert Uokër Bush, tha se megjithë ashpërsinë e fushatës presidenciale, ai dhe Ferraro patën më pas një miqësi plot respekt e dashuri.

Pas zgjedhjeve, Ferraro iu kthye punës së saj si juriste dhe kandidoi dy herë për Senatin amerikan, por pa sukses.

Ajo punoi gjithashtu edhe si mbrojtëse e grave të dhunuara gjatë konfliktit etnik në ish Jugosllavi. Presidenti Bill Klinton e emëroi Ferraron ambasadore të Shteteve të Bashkuara në Komisionin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

24 vjet pas kandidaturës së Ferraros për nënpresidente, dy gra të tjera u shquan në fushatën presidenciale të vitit 2008.

Sara Pejlin u bë gruaja e dytë që kandidonte për Shtëpinë e Bardhë, e para grua republikane, kur Xhon Mekein e zgjodhi si kandidate për nënpresidente. Pejlin vlerësoi Ferraron në faqen e saj të Fejsbukut në Internet dje.

Po ashtu atë vit, Hillari Klinton, përfundoi e dyta me rezultat të ngushtë ndaj Barak Obamës si kandidat për president i Partisë Demokratike. Kjo ishte paraqitja më e fortë për një grua në fushatën e një partie të madhe për Shtëpinë e Bardhë.

Ferraro, e cila mbështeti Klintonin, krijoi një incident pasi u kuptua sikur sugjeroi se zoti Obama arriti statusin e tij në garën presidenciale vetëm sepse ishte afrikano-amerikan.

Por dje, Presidenti Obama e vlerësoi Ferraron si nismëtare që kapërceu pengesat për gratë dhe amerikanët e të gjitha origjinave. Ai tha gjithashtu se vajzjat e tij do të riten në një Amerikë me më shumë barazi në saje të zgjedhjeve që bërë në jetën e saj Xheraldinë Ferraro.

XS
SM
MD
LG