Lidhje

100 vjetori i stacionit Pensilvania në Nju Jork


100 vjetori i stacionit Pensilvania në Nju Jork
100 vjetori i stacionit Pensilvania në Nju Jork

Si sot 100 vjet më parë u hap stacioni Pennsylvania i Nju Jorkut dhe treni i parë i pasagjerëve nën lumin Hudson hyri në Manhattan. Ndërtesa klasike në mes të Manhattanit mbijetoi për rreth 50 vjet para se të prishej për të bërë një stacion të ri. Sot stacioni Pennsylvania, ose siç njihet shkurtimit, Penn Station, është nën tokë dhe ka të përbashkët me paraardhësin e tij vetëm emrin dhe vendin. Sot, ka plane për një rinovim të tretë të stacionit Penn, për të cilin përkrahësit shpresojnë se do të kthejë bukurinë dhe kënaqësinë e të udhëtuarit me tren në qytetin e Nju Jorkut.
"Dikur hynim në qytet si zotër ndërsa tani si minj", kështu iu referua historiani Vincent Scully stacionit të parë plotë hapësirë dhe më pas stacionit nën tokë, që e zëvëndësoi atë në vitet ‘60.
I projektuar nga arkitekti Charles McKim, ndërtesa madhështore e stilit romak me mermer dhe granit rozë tërhoqi 100 mijë vizitorë në ditën që u hap në vitin 1910. Lorraine Diehl, autore e librit "The Late, Great Pennsylvania Station," mban mend kur luante atje në fëmijëri.

"Çdo hapësirë e atij stacioni sikur të zgjonte imagjinatën. Për shembull, kur hyje aty nga bulevardi i tetë, shikoje menjëherë kolona gjigande dhe tavanin prej xhami. Mëndja e fillonte udhëtimin para se të hypje në trenin, i cili kalonte nëpër këtë hapësirë".

Ndërtesa ishte zbukuruar me skulptura shqiponjash e zonjushash, njëra personifikim i ditës dhe tjetra i natës, siç tregohen në këtë libër fotografish nga artisti i Nju Jorkut, William Low, i cili nuk e pa kurrë me sy ndërtesën, por ishte frymëzuar nga fotografitë dhe përshkrimet e vjetra.

"Kjo ndërtesë ishte tepër frymëzuese, sikur shikon për here të parë Kanionin e Madh. Nuk mund ta shprehësh dot me fjalë idenë e kësaj hapësire gjigande".

Low pikturoi dhomat e veçanta të stacionit: vendi i grumbullimit me tavan qelqi dhe çeliku; restorantet dhe dhomën e pritjes me tavan të lartë, të cilën shkrimtari Thomas Wolfe e përshkruante si "një hapësirë aq të madhë sa që mund të ruante tingullin e kohës … një tingull të lehtë e të pafund".
Por në fillim të viteve ‘60, pronari i stacionit, Kompania Pennsylvania e Hekurudhave, ishte në falimentim.
Prandaj ia shiti stacionin mbi tokë një kompanie, e cila ndërtoi arenën sportive, Madison Square Garden.

"Stacioni u shkatërrua, skulpturat u hoqën pa asnjë fare dinjiteti dhe u hodhën në fushat e mbeturinave në shtetin fqinj të Nju Xhërzit".

Vetëm 6 arkitektë protestuan kundër shkatërrimit të stacionit në vitin 1963, dhe kjo nuk pati asnjë ndikim. Humbja u kuptua me kalimin e viteve dhe çoi në miratimin e ligjeve për mbrojtjen e pikave muzeale.

"Asnjeri nuk është i kënaqur me stacionin Penn në formën e tanishme. Njerëz që as nuk e kanë parë stacionin original e kujtojnë atë me dhimbje. Ishte ndoshta krimi më i madh arkitektural që është kryer në qytetin e Nju Jorkut".

Peg Breen është presidente e grupit privat, Ruajtja e Monumenteve Historike të Nju Jorkut. Ky grup ësht përpjekur që nga viti 1993 që ta shndërojë ndërtesën e postës së vjetër matanë rrugës në një version të tretë të Stacionit Penn, i cili do të merrte emrin e senatorit të ndjerë, Daniel Patrick Mojnihan, që e mbështeti këtë ide.

"Kjo godinë u ndërtua në vitin 1912 nga Charles McKim, arkitekti i Stacionit Pennsylvania, dhe është arkitektura binjake e stacionit të vjetër Penn. Ajo u ndërtua kur hapësirat shtetërore shfrytëzoheshin për të nderuar publikun dhe kur hyje në një ndërtesë të tillë sikur dëgjoje: Ky është një qytet i mrekullueshëm, ju jeni një qytetar i denjë në një hapësirë shumë të bukur".

Rinovimi i tretë i stacionit pritet të kushtojë shumë më tepër se një milliardë dollarë dhe nëse çdo gjë shkon sipas planit, ai do të përfundojë brënda 8 vjetësh. Megjithatë ai do të jetë vetëm një hije e zbehtë e stacionit original Pennsylvania. Por grupi privat i Peg Breen thotë se për pasagjerët që mbërrijnë në Nju Jork ai do të krijojë përsëri një derë të bukur për në qytet.

XS
SM
MD
LG