Anijet ushtarake kineze tani janë duke patrulluar në Atlantikun e Veriut dhe nëndetëset ruse po lëvizin në të njëjtat zona ujore, me një intensitet që nuk është parë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, i tha Zëri i Amerikës në një intervistë ekskluzive admirali i Marinës amerikane, John Richardson.
Shefi i Operacioneve Detare, Admirali John Richardson e quajti praninë ushtarake të Kinës në Atlantikun e Veriut një "dinamikë të re".
"Madje dhe pesë vjet më parë, ne nuk kemi parë një zhvillim të tillë," tha Richardson.
Sipas admiralit amerikan, marina kineze është globale, e gatshme dhe e aftë të veprojë kudo që Pekini do të dëshironte.
"Ata sigurisht që janë në një konkurrencë në ndryshim të vazhdueshëm për ne në aspektin e kërcënimit detar", tha ai për Zërin e Amerikës.
Megjithatë, operacionet kineze pranë bregut lindor të Shteteve të Bashkuara mund të mos jenë aq kërcënuese sa nëndetëset ruse që lëvizin nën sipërfaqen e oqeanit. Aleatët e NATO-s nga Amerika e Veriut deri në Evropë janë gjithnjë e më të shqetësuar rreth rritjes së aktivitetit të nëndetëseve ruse në Atlantikun e Veriut.
"Bëhet fjalë për shtimin më të madh të aktivitetit të vërejtur në 25 vjet," tha Richardson.
Zyrtarët amerikanë shqetësohen se Moska mund të përpiqet të përdorë nëndetëset e saj për të prerë ose përgjuar kabllot nënujore që lidhin dy kontinentet.
Flota e 2-të
Për shkak të këtyre aktiviteteve në Atlantikun e Veriut, Shtetet e Bashkuara kanë riaktivizuar kohët e fundit një komandë për të siguruar ujërat territoriale në bregdetin lindor.
Flota e dytë e Shteteve të Bashkaura ndihmon në përmbushjen e udhëzimeve të reja nën Strategjinë e Mbrojtjes Kombëtare të Sekretarit të Mbrojtjes Jim Mattis, e cila përparësi kryesore të sigurisë kombëtare të Amerikës e ka bërë rivalitetin me fuqitë e tjera, në vend të terrorizmit.
Flota u çaktivizua në vitin 2011 për shkak të mungesës së fondeve që Marina të realizonte blerje. Ajo u aktivizua në Norfolk të Virxhinias më 1 korrik të këtij viti.
Admirali Richardson do të drejtojë ceremoninë zyrtare të themelimit të flotës në bordin e një aeroplanmbajtëse në Norfolk më 24 gusht.
Komandanti i Flotës së Dytë gjithashtu do të kryesojë Komandën e Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Norfolk. Admirali Richardson tha se struktura e dyfishtë komanduese lejon që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të përshtaten së bashku, ndërsa përballen me intensifikimin e sfidave nga Rusia.
Zhurmuesit rusë
Ndërsa Marina amerikane po ripozicionon komandat e saj gjeografike, Admirali Richardson tha se ajo gjithashtu duhet të ruajë epërsinë në fushën e luftës së informacionit.
Marinarët amerikanë duhet të mbrojnë veten nga zhurmuesit elektronikë rusë, të ngjashëm me pajisjet e përdorura kundër trupave tokësore amerikane që operojnë në Siri.
Admirali Richardson tha se marinarët janë përballur me zhurmues elektronik rusë gjatë operimit në ujërat ndërkombëtare.
"Kjo tani po bëhet pjesë e zakonshme e punës sonë", tha ai për Zërin e Amerikës.
Admirali Richardson nuk shpjegoi se si ndikohen operacionet e marinës amerikane nga zhurmuesit. Lufta elektronike ka potencialin të pengojë funksionimin e sistemeve të navigimit dhe atyre të komunikimit.
"Këto teknologji çrregulluese mund të jenë vendimtare në luftërat e ardhshme dhe ne duhet të sigurohemi që të investojmë që të jemi të përgatitur dhe të pajisur edhe në këtë aspekt," tha Admirali Richardson.
Facebook Forum