Lidhje

Emërimet e drejtuesve të komunitetit të zbulimit


Tulsi Gabbard
Tulsi Gabbard

Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka përzgjedhur një aleat të hershëm për të drejtuar CIA-n. Ai gjithashtu ka propozuar dikë nga jashtë strukturave tradicionale për të mbikëqyrur agjencitë amerikane të zbulimit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jeff Seldin, shumë shikojnë mundësinë e ndryshimeve drastike kur ai të fillojë mandatit e tij të dytë në janar.

Emërimi që tërhoqi më shumë vëmendje është ai i ligjvënëses Tulsi Gabbard, e përzgjedhur nga Presidenti i ardhshëm Donald Trump për postin e drejtores së zbulimit kombëtar.

“Këto janë zgjedhjet që kemi: Vota për Kamala Harris-in është votë për Dick Cheney-in dhe është një votë për luftën, më shumë luftëra, ndoshta Luftën e Tretë Botërore dhe luftën bërthamore. Vota për Donald Trump-in është votë për një person që dëshiron t’u japë fund luftërave, jo t’i fillojë ato”, deklaronte ligjvënësja Gabbard.

Ish-demokratja u bë një zë i fortë për fushatën elektorale të ish-Presidentit Trump, duke siguruar mbështetje më të gjerë për axhendën e tij.

“Për këtë arsye jam krenare që mbështes Presidentin Trump dhe për arsyet përse ne, populli, duhet të votojmë për ta rikthyer në Shtëpinë e Bardhë dhe për ta bërë Amerikën sërish madhështore”, u thoshte mbështetësve ligjvënësja Gabbard.

Kur bëri të ditur emërimin e zonjës Gabbard, Presidenti i zgjedhur Trump lëvdoi “shpirtin e saj të patrembur”, duke thënë se ajo do ta sjellë këtë cilësi edhe në detyrën e re.

Ajo sjell gjithashtu edhe mbi 20 vite eksperiencë me Gardën Kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Por, edhe një nivel debati... duke i trazuar ligjvënësit republikanë dhe demokratë me një mesazh në mediat sociale, ku kritikët thonë se riprodhoi aludimin e propagandës ruse për financimin e laboratorëve të armëve biologjike në Ukrainë – diçka që zyrtarët amerikanë të zbulimit thonë se nuk është e vërtetë.

Senatori republikan Mitt Romney i quajti në atë kohë komentet e ligjvënëses Gabbard “gënjeshtra tradhtare” – një akuzë që ajo e mohon.

Ligjvënësja Gabbard është kritikuar gjithashtu për takimin me Presidentin sirian Bashar al-Assad, i cili është akuzuar për krime lufte. Por, ajo e mbrojti vizitën duke thënë se nuk mund të tregosh se e dëshiron seriozisht paqen, nëse nuk je i gatshëm të bisedosh me kundërshtarët.

Përzgjedhja e ish-ligjvënësit John Ratcliffe nga Presidenti i ardhshëm Trump për të drejtuar CIA-n, është më tradicionale. Zoti Ratcliffe shërbeu si drejtor i zbulimit kombëtar gjatë mandatit të parë të ish-Presidentit Trump.

John Ratcliff
John Ratcliff

Gjatë periudhës kur ishte anëtar i komisionit për zbulimin në Dhomën e Përfaqësuesve, ai i doli në mbrojtje ish-Presidentit Trump:

“A mundet dikush prej jush të thotë se pati ndonjë shkelje gjatë telefonatës që duhet hetuar? Thuajeni me zë të lartë”, u shpreh në atë kohë ligjvënësi Ratcliffe.

Ai vazhdoi të jetë një mbështetës i vendosur i ish-presidentit.

Dhe ish-Presidenti Trump i doli në mbrojtje, kur ligjvënësit e detyruan zotin Ratcliffe të tërhiqej nga procesi i shqyrtimit në vitin 2019 për të marrë postin më të lartë të administratës për çështjet e zbulimit.

“Për mendimin tim, media e trajtoi shumë padrejtësisht. Ai është një person i jashtëzakonshëm”, tha në atë kohë ish-Presidenti Trump.

Zotit Ratcliffe iu dha një shans i dytë dhe ai u premtoi ligjvënësve se do të sigurohet që agjencitë e zbulimit të Shteteve të Bashkuara do t’i ofrojnë vendit “të vërtetën e drejtpërdrejtë”, siç u shpreh ai.

Ai pati edhe përplasje me ligjvënësit për deklasifikimin e të dhënave të zbulimit në lidhje me akuzat për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje.

Ai iu kundërvu ndërhyrjeve nga Irani, Rusia dhe Kina.

“Nuk ka asgjë më të shenjtë në republikën tonë se parimi themelor demokratik – një person, një votë”, deklaroi zoti Ratcliffe.

Presidenti i zgjedhur Trump po ia beson kështu një personi me eksperiencë dhe një politikaneje premtuese, përpjekjet e katër viteve të ardhshme të shërbimeve amerikane të zbulimit.

XS
SM
MD
LG