Lidhje

Dy ndihmës të presidentit akuzohen nga ish-bashkëshortet


Një ndihmëse e Presidentit Donald Trump i doli në mbrojtje mënyrës se si Shtëpia e Bardhë i ka trajtuar akuzat ndaj ish sekretarit të shtypit për keqtrajtimin fizik të ish bashkëshorteve të tij.

Këshilltarja e Presidentit, Kellyanne Conway tha në një intervistë në CNN se "është shumë e qartë" se Rob Porter, i cili shërbente si një nga sekretarët e Presidentit dhe ndihmoi në hartimin e fjalimit të tij për gjendjen e vendit, "bëri atë që duhej të bënte" duke dhënë dorëheqjen, pasi dy ish-bashkëshortet e tij dhanë fakte se ai kishte ushtruar dhunë fizike ndaj tyre gjatë martesës.

Kellyanne Conway
Kellyanne Conway

Por zonja Conway hodhi një numër njoftimesh në media se Shefi i Personelit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly dhe juristi i Shtëpisë së Bardhë Donald McGahn kanë patur dijeni për akuzat muaj më parë, pas kontrolleve biografike të FBI-së dhe se nuk kishin marrë masa për shkarkimin e tij. Për shkak të këtyre akuzave, zoti Porter nuk do të kishte mundur të merrte lejen e nivelit të lartë të sigurisë, e nevojshme për postin e rëndësishëm që mbante.

Conway tha se ajo nuk ishte në dijeni të hetimeve të sigurisë nga FBI-ja, por shtoi se "nuk kishte arsye që të mos i besonte ish-bashkëshortet". Ajo tha se "ishte tmerruar dhe tronditur rëndë", kur mësoi për akuzat kundër zotit Porter, për shkak se kishte patur marrëdhënie tepër profesionale me të brenda Shtëpisë së Bardhë.

Një tjetër ndihmës në Shtëpinë e Bardhë, shkruajtësi i fjalimeve, David Sorenson, po ashtu u largua pa pritur nga puna të premten e kaluar, pasi ish-bashkëshortja e tij tha se ai e kishte keqtrajtuar fizikisht dhe mendërisht gjatë martesës. Sorenson i mohoi me ngulm akuzat, duke thënë se në fakt ai kishte qenë personi i keqtrajtuar gjatë martesës.

Rob Porter dhe John Kelly
Rob Porter dhe John Kelly

Colbie Holderness, ish-bashkëshortja e parë e zotit Porter, paraqiti një fotografi ku ajo duket me syrin e nxirë, duke thënë se ja kishte shkaktuar atë Porter, duke e qëlluar me grusht në fytyrë gjatë pushimeve në Itali, në vitin 2005.

Bashkëshortja e dytë e Porterit, Jennifer Willoughby, kishte siguruar një urdhër ndalimi për ish bashkëshortin në vitin 2010.

Rob Porter ishte ndihmës i afërt i Shefit të Personelit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly, për të cilin thuhet se i kishte thënë zotit Trump se ishte gati të jepte dorëheqjen për shkak të mënyrës se si e kishte trajtuar hetimin për lejen e sigurisë së zotit Porter.

Por zonja Conway tha se presidenti e kishte siguruar para se ajo të jepte intervistën, se ai ka "besim të plotë" tek puna e zotit Kelly në Shtëpinë e Bardhë dhe se nuk po kërkonte që ta zëvendësonte atë. Ajo citoi zotin Trump të ketë thënë se zoti Kelly "bën një punë të shkëlqyer".

Si rrallëherë më parë, duke pranuar se ishin bërë gabime, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Raj Shah, tha se "të gjithë ne mund të kishim patur më tepër kujdes" në trajtimin e çështjes së zotit Porter. Ai tha se zoti Trump "e merr shumë seriozisht çështjen e dhunës ndaj grave".

Por në komentet e tij të premten, zoti Trump nuk i përmendi asnjëherë gratë, madje ai e uroi zotin Porter për një karrierë të mirë në të ardhmen.

Presidenti Trump në Zyrën Ovale, duke folur me gazetarët
Presidenti Trump në Zyrën Ovale, duke folur me gazetarët

"Ai thotë se nuk ka faj dhe mendoj se këtë duhet ta mbani mend", - u tha gazetarëve zoti Trump në Zyrën Ovale. "Dje ai këmbënguli se është i pafajshëm, prandaj duhet të flisni edhe me të", - tha Presidenti.

Edhe të shtunën, Trump mbajti një qëndrim të ngjashëm, duke mbajtur anën e burrave të akuzuar për dhunë në familje, apo për sjellje të papërshtatshme seksuale; ai ngriti dyshime për lëvizjen #MeToo në Shtetet e Bashkuara, në kuadrin e së cilës dhjetra burra të shquar në karrierën e tyre janë pushuar nga puna, apo kanë dhënë dorëheqjen, pasi një numër grash i kanë akuzuar për sjellje të papërshtatshme seksuale.

"Jetë njerëzish po tronditen, apo prishen nga një akuzë e thjeshtë," shkruante Presidenti Trump në Twitter. "Disa prej akuzave janë të vërteta, por disa të tjera janë gënjeshtra - disave u është prishur karriera e jeta. A nuk eksizston më një sistem juridik normal, ku të shqyrtohen këto çështje?"

Gruaja e dytë e zotit Porter, Jennifer Willoughby, shkruante në revistën "Time" se duke përdorur fjalët "thjesht akuza" dhe "të akuzuar pa të drejtë", zoi Trump e quante atë gënjeshtare.

"E vërteta qëndron, pavarësisht në se Presidenti e pranon, apo jo atë."- shkruante ajo.

Ndërsa disa nga burrat kanë thënë se janë të pafajshëm, në mesin e tyre edhe zoti Trump, të cilin e kanë akuzuar dhjetra gra për veprime të papërshtatshme seksuale para se të kandidonte për president, të tjerë kanë pranuar se janë sjellë në mënyrë të papërshtatashme, duke dhënë dorëheqjen, ose janë pushuar nga puna, pas hetimeve që kanë kryer korporatat, duke i verifikuar akuzat ndaj tyre.

XS
SM
MD
LG