Lidhje

Tingujt e urës “Golden Gate” në San Françisko


Çdo vit miliona njerëz vizitojnë urën “Golden Gate” në San Françisko për të shijuar pamjet magjepse. Por kohët e fundit, si rezultat i një përmirësimi të sigurisë së urës, disa modifikime kanë bërë që ura të prodhojë disa efekte zanore të çuditshme. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Matt Dibble sjell më shumë hollësi.

Shumë njerëz mund të mendojnë se ura “Golden Gate”, e cila për gati një shekull qëndron në grykën e gjirit të San Françiskos, nuk ka asgjë të re për të ofruar përveçse bukurisë së saj mahnitëse.

Por kohët e fundit, ikona 83-vjeçare është bërë sensasion në median sociale.

Ura ka filluar të prodhojë tinguj.

Banorja e San Françiskos, Anna Klafter, mund të dëgjojë melodinë nga shtëpia e saj që gjendet rreth 8 kilometra larg.

“Pashë videon dhe thashë sa tinguj interesantë. Më vonë i dëgjova në sfond”, tha zonja Klafter. “Melodia në të vërtetë dëgjohet shumë. Pothuajse e dëgjoj çdo pasdite ose në darkë.”

Por çfarë i shkakton këta tinguj? Gjurmët të çojnë tek përmirësimet e sigurisë në urë. Paolo Cosulich-Schwartz menaxhon marrëdhëniet me publikun për Distriktin e urës “Golden Gate”.

“Kemi qënë duke zëvendësuar parmakët për kalimtarët në pjesën perëndimore me shirita vertikalë, që mundësojnë ajrosje më të madhe. Si rezultat i erërave të forta me drejtime specifike, këta parmakë shkaktojnë tinguj”, thotë ai. “Para përmirësimeve e dinim që ura do të prodhonte tinguj gjatë erërave të forta. Por nuk e dinim se sa të lartë do të ishin ata.”

“Disa njerëzve u pëlqen kjo melodi dhe e shohin atë si qetësuese. Disa të tjerë mendojnë se është e pakëndshme”, thotë zoti Cosulich-Schwartz.

DJ i muzikës elektronike Mr. Bill u frymëzua nga tingujt që prodhon ura.

“Shkova me biçikletë në mes të urës dhe regjistrova tingujt dhe i ktheva në muzikë”, thotë ai. Ndodhi që në atë kohë po punoja me diçka që kishte shumë ngjajshmëri me muzikën që prodhonte ura.”

Inxhinierët po studiojnë mundësinë për zbutjen e tingujve. Por deri sa kjo të arrihet, kur erërat janë të forta atëherë është edhe momenti i shfaqjes që ofron “Porta e Artë” e cila lidh brigjet në gjirin e San Françiskos.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG