Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara Donald Trump thotë se udhëheqësit e Ukrainës dhe Rusisë duhet të jenë “të gatshëm të arrijnë marrëveshje” për t'i dhënë fund konfliktit brutal që ka dërmuar Ukrainën. Lufta në Ukrainë filloi në shkurt të vitit 2022. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Presidenti i zgjedhur Trump gjithashtu kritikoi vendimin e Presidentit Joe Biden për të lejuar Kievin të sulmojë Rusinë me armët e marrë nga Shtetet e Bashkuara, duke lënë të kuptohet se kur të marrë detyrën, ai mund ta anulojë vendimin.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump thotë se do të bëj “përpjekje” për një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës në fillim të mandatit presidencial duke shtuar se të dyja palët duhet të bëjnë kompromis.
“Duhet të ketë një marrëveshje. Shumë njerëz po vriten në këtë luftë… Zelensky dhe Putini duhet të jenë të gatshëm për arritjen e një marrëveshjeje”, tha zoti Trump.
Ai gjithashtu e quajti vendimin e presidentit Joe Biden për të lejuar Ukrainën të sulmojë Rusinë me armë me rreze të gjatë një “marrëzi” dhe“një gabim të madh”.
Një ditë pas këtij reagimi, Kievi e çoi luftën në zemër të Moskës, pasi forcat ukrainase të sigurisë morën përgjegjësinë për vrasjen e një gjenerali rus, pak kilometra larg Sheshit të Kuq.
Analisti William Pomeranz thotë se nëse Presidenti i ardhshëm Trump heq dorë nga mbështetja për Ukrainën kjo do të kishte “pasoja të mëdha ushtarake” për Ukrainën dhe e vë zotin Trump kundër aleatëve të Shteteve të Bashkuara.
“Unë shoh një përplasje të mundshme mes aleatëve tanë të NATO-s dhe Presidentit Trump lidhur me luftën. Kur zoti Trump flet për negociata, kjo në të vërtetë do të thotë që Ukraina duhet të negociojë dhe të dorëzohet, ndërsa ai nuk i vë asnjë kusht Rusisë”, thotë zoti Pomeranz nga Qendra ‘Wilson’.
Administrata në largim e Presidentit Biden po përpiqet të “përdorë çdo qindarkë” të ndihmave tanimë të miratuara për Ukrainën, përpara se ai të largohet nga detyra. Një zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare shpjegoi për Zërin e Amerikës arsyen për këtë.
“Lufta në Ukrainë ka të bëjë me themelin e sistemit ndërkombëtar mbi të cilin mbështetet gjithçka tjetër, sovraniteti, integriteti territorial, paprekshmëria e kufijve. Nëse këto nuk mbrohen në Ukrainë, nuk do të mbrohen askund tjetër”, thotë zoti Carpenter.
Kongresi është ai që përfundimisht vendos nëse do të ndahen fonde të tjera për Ukrainën.
“Unë mendoj se zgjedhja e Presidentit Trump tanimë e ka ndryshuar situatën atje. Ai mund ta zgjidhë konfliktin dhe ne po presim me padurim që ai të na udhëheq deri në atë pikë”, thotë për Zërin e Amerikës, Mike Johnson Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve.
Ligjvënësja demokrate, Erica Lee Carter, u zgjodh së fundmi për të shërbyer në javët e fundit të mandatit të nënës së saj të ndjerë në Kongres. Ajo përdori kohën e kufizuar në detyrë për t'i bërë jehonë mbështetjes që nëna e saj Sheila Jackson Lee i dha Ukrainës.
“Unë nuk heq dorë nga Ukraina derisa të gjithë në Ukrainë të ndalojnë së luftuari dhe kjo nuk do të ndodhë derisa Ukraina të fitojë”, thotë për Zërin e Amerikës ligjvënësja demokrate Erica Lee Carter
Deklarata e saj nxjerr në pah një çështje të rëndësishme: nëse Ukraina është gati të bëj kompromis.
Anëtarët e qeverisë së Presidentit Volodymyr Zelensky kohët e fundit kërkuan mbështetje nga fqinjët si Polonia dhe nga vende të largëta si Franca dhe Australia.
Kur u pyet kohët e fundit nëse ai ishte gati të ndalonte luftën dhe të pranonte bisedimet, Presidenti Zelensky tha se së pari duhej të shihte garancitë e sigurisë dhe një plan për paqen.