Temperaturat kanë filluar të ngrihen në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara, duke sjellë ngrohtësi në zonat e goditura rëndë nga moti i ashpër dimëror. Jugu amerikan përballet me sfidën e pastrimit dhe riparimeve të kushtueshme pas disa ditësh të ftohti ekstrem dhe ndërprerje masive të energjisë elektrike.
Në Teksas, ku miliona njerëz janë paralajmëruar të valojnë ujin para se ta pinë, rritja e temperaturave të shtunën pritet të zgjasë për disa ditë. Presidenti Joe Biden e ka shpallur gjendjen e katastrofës në Teksas, duke urdhëruar agjencitë federale të ndihmojnë në përpjekejt e rimëkëmbjes. Moti i ashpër fajësohet për vdekjen e të paktën 69 njerëzve. Deri të shtunën njoftohet se më shumë se 300 mijë njerëz ende nuk kishin energji elektrike, me shumicën prej tyre në Teksas, Luiziana dhe Misisipi.
Guvernatorja e Oregonit, Kate Brown, tha se trupat e Gardës Kombëtare shkuan derë më derë në disa zona për të kontrolluar gjendjen e banorëve. Stuhia e akullt, më e rënda në 40 vjet, shkaktoi ndërprerjen e energjisë për më shumë se 350 mijë banorë.
Në Xhakson (Jackson) të shtetit Misisipi, pjesa më e madhe e qytetit me rreth 161 mijë banorë nuk kishin ujë të rrjedhshëm.
Në Luiziana, më shumë se 192 mijë banorë, disa prej të cilëve ende po luftojnë për ta marrë veten nga uragani Laura i muajit gusht, nuk kishin ujë të premten, sipsas departamentit të shëndetit të atij shteti. Dhjetëra mijëra të tjerë janë këshilluar të ziejnë ujin para se ta pinë.
Facebook Forum