Përpjekjet për të sjellë studentë ndërkombëtarë në universitete amerikane dhe për të dërguar të rinj amerikanë për studime jashtë vendit janë intensifikuar në pesë vitet e fundit, siç rezulton nga një anketë e zhvilluar në universitetet amerikane nga Këshilli Amerikan i Arsimit.
Sipas ankentës, mbi 70% e universiteteve të anketuara në 2016 dëshmuan një angazhim të lartë ose shumë të lartë në këtë drejtim.
Institucionet e arsimit të lartë po bëjnë përpjekje më intensive për të “ndërkombëtarizuar” klasat, për t’iu përgjigjur nevojave të globalizimit, thotë raporti, megjithatë përpjekjet vazhdojnë të përqëndrohen kryesisht në studentë të huaj, pra vëmendja më e madhe është tek sjellja e studentëve të huaj në SHBA, se sa në nxitjen e studentëve amerikanë të studiojnë jashtë vendit.
Shtetet e Bashkuara pritën mbi 1 milion studentë ndërkombëtarë në 2015-2016. Ndër ta 328 mijë ishin nga Kina, 165 mijë nga India, pasuar nga 61 mijë nga Arabia Saudite dhe 61 mijë nga Koreja e Jugut. Përqindje më të vogla ishin nga Kanadaja, Vjetnami, Tajvani, Brazili, Japonia, Meksika, Irani, Britania, Turqia dhe vende të tjera që përfaqësonin 1% ose më pak.
Shtetet e Bashkuara dërguan mbi 310 mijë të rinj për studime jashtë vendit; 63% e tyre për kurse verore, ose studime të shkurtra prej 8 javësh ose më pak në vende të tjera. 34% shkuan jashtë për një semester; 2.5% qëndruan për një vit të plotë shkollor.
Më shumë se 50% e studentëve amerikanë që ishin për studime jashtë vendit zgjodhën Evropën; 16% shkuan në Amerikë Latine ose në Karaibe dhe 11% në Azi.
“Regjistrimi në këto programe dëshmon një mungesë balance, ku studentë të huaj regjistrohen në ritme shumë më të larta,” thotë raporti. “Afro 2/3 e programeve regjistrojnë vetëm studentë të huaj në këto shkëmbime; afro 1/3 kanë programe shkëmbimi si për studentë të huaj, ashtu edhe për studentë amerikanë; vetëm 4% e programeve punojnë ekskluzivisht për të dërguar studentë amerikanë jashtë vendit”.
Me shtimin e numrit të studentëve të huaj që vijnë në SHBA, shtohet edhe nevoja që administratat universitare të rrisin kapacitetet për ta mbështetur këtë kontigjent.
“Një numër më i madh institucionesh po vë në zbatim politika, procedura dhe masa planifikimi për të menaxhuar përpjekjet e ndërkombëtarizimit,” thuhet në raportin e fundit.
Një ndër përpjekjet është hartimi i programeve mësimore me fokus më të gjerë dhe ndërkombëtar dhe përgatitja e personelit pedagogjik në këtë drejtim.
Për shembull, në Universitetin Hofstra në Nju Jork sapo u diplomua grupi i parë prej 10 studentësh me diplomë dyfishe: nga Hofstra dhe nga universiteti Dalian në Kinë. Universiteti i Nju Jorkut dhe ai i Berkley-t në Kaliforni kanë partineritet me universitetin e shkencave politike Sciences Po në Francë.
“Vendet kryesore partnere janë Kina, Franca, Turqia, Gjermania dhe Koreja e Jugut,” thotë raporti.
Megjithatë në raport thuhet se megjithë shtimin e përpjekjeve të ndërkombëtarizimit, mbështetja që kanë këta studentë të huaj mbetet shqetësim. Nga që një pjesë e madhe e studentëve të huaj nuk e kanë anglishten si gjuhë të parë, ata kanë probleme komunikimi dhe mund të mos ndjehen të përfshirë në rrymën kryesore të aktiviteteve në universitet. Po ashtu po shtohen shqetësimet se universitetet amerikane i shohin këta studentë si burim të ardhurash pasi këta të rinj paguajnë çmimin e plotë të studimeve, ndryshe nga studentët amerikanë që shpesh përfitojnë nga bursa apo reduktime.
Studentët ndërkombëtare kontribuuan 32.8 miliardë dollarë në ekonominë amerikane në 2015.
Këshilli Amerikan i Arsimit e bazoi raportin në përgjigjet e 1164 pjesëmarrësve të mbledhura në periudhën shkurt-dhjetor, 2016.
Facebook Forum