UASHINGTON - Një grup shkencëtarësh dhe inxhinierësh të specializuar për dështime katastrofike të strukturave po i drejtohen jugut të Floridas për të mbledhur informacione të dorës së parë mbi shkakun e shembjes katastrofike të Kullës Champlain South.
Puna e tyre fillestare do të përdoret për të përcaktuar nëse do të pasohet nga një studim më i plotë.
Dy anëtarët e parë të ekipit arritën në Florida të premten dhe katër të tjerë do të mbërrijnë atje deri të hënën, tha Jason Averill, zyrtar në Institutin Kombëtar të Standardeve dhe Teknologjisë. Kjo agjenci federale, pjesë e Departamentit të Tregtisë ka hetuar gjithashtu katastrofa të tilla si shembja e Kullave Binjake më 11 shtator, tornadon Joplin në vitin 2011 në Misuri, dhe shkatërrimet nga Uragani Maria në Porto Riko.
Zoti Averill tha se ekipi do të mbledhë informacione gjatë javës së ardhshme për të vendosur nëse kërkohet një hetim më i plotë. Qëllimi i ekipit është të ndihmojë në identifikimin shkaqeve të shembjes dhe sugjerimin e hapave të ardhshëm për të shmangur një tjetër katastrofë të tillë. Ai tha se ekipi do të shmangë ndërhyrjet tek përpjekjet për të shpëtuar banorët e bllokuar dhe tek ekipet e reagimit ndaj katastrofave.
Hetimet e hershme ndonjëherë kanë marrë disa vite, ose më shumë dhe kanë rezultuar në rekomandime të hollësishme për hapat e ardhshëm, tha ai. Zoti Averill është shefi i sektorit të materialeve dhe sistemeve strukturore në institut.
"Ekspertët do të punojnë me autoritetet federale, shtetërore dhe lokale për të identifikuar dhe ruajtur materiale që mund të shërbejnë për të kuptuar pse ndodhi shembja", tha Jennifer Huergo, zëdhënëse e agjencisë.
Facebook Forum