Lidhje

Reagime ndaj zgjedhjes së kandidatit republikan për nënpresident


Analistët debatojnë se si zgjedhja e ligjvënësit Paul Ryan do të ndikojë në shanset e zotit Romney për të fituar presidencën

Kandidati republikan për president, ish-guvernatori i shtetit Masaçusets Mitt Romney, bëri fushatë në shtetin jugor të Karolinës së Veriut të dielën ndërkohë që analistët vazhdojnë të debatojnë rreth kandidatit që ai zgjodhi për nënpresident. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Peter Heinlein njofton se si demokratët ashtu edhe republikanët duken të kënaqur me përzgjedhjen e ligjvënësit nga shtetit Uiskonsin Paul Ryan si kandidat për nënpresident.

Mitt Romney dhe Paul Ryan janë duke zhvilluar një turne në katër shtete të papërcaktuara: Virxhinia, Karolina e Veriut, Florida dhe Ohajo, për të cilët analistët thonë se janë kyçe për shpresat e zotit Romni për të fituar zgjedhjet presidenciale në nëntor.

Paul Ryan u prit me brohoritje të mëdha nga grumbulli i njerëzve në Mooresville, të Karolinës së Veriut.

“A do të fitojmë në Karolinën e Veriut? Keni të drejtë ne do të fitojmë!”

Mitt Romney tha në këtë tubim se politikat e tij ekonomike dhe të ligjvënësit Paul Ryan do të rimëkëmbin ekonominë amerikane në vështirësi.

“Unë kam një lajm për ju. Ky vend përsëri do t’i kthehet zhvillimit të fuqishëm ekonomik”.

Analistët politikë në Uashington kanë debatuar se si zgjedhja e ligjvënësit Paul Ryan mund të ndikojë në shanset e zotit Romni për të fituar presidencën.

Këshilltari i fushatës së presidentit Barak Obama, David Axelrod, tha për programin televiziv të rrjetit ABC “This Week” se zgjedhja e ligjvënësit Paul Ryan nga ana e zotit Romney mund t’i dëmtojë shanset e tij sepse politikat e ligjvënësit nga shteti Uiskonsin nuk janë në përputhje me realitetin politik në Amerikë.

“Kjo zgjedhje ka për qëllim të kënaqë bazën e Partisë Republikane, por ajo duhet të shqetësojë të gjithë të tjerët, klasën e mesme, të moshuarit, sudentët për shkak të pikëpamjeve të zotit Ryan. Ai është një ideolog i djathtë”.

Zoti Axelrod tha se plani i ligjvënësit Paul Ryan për shkurtimin e buxhetit federal do të shkatërronte programin e sigurimit shëndetësor për të moshuarit.

Republikanët mbrojtën zgjedhjen e ligjvënësit Paul Ryan, duke e quajtur atë një politikan të ri, energjik i cili është në gjendje të artikulojë nevojën për shkurtime të mëdha në shpenzimet e qeverisë që ai dhe zoti Romney mbështesin.

Ish-Guvernatori i Minesotës Tim Pawlenty ishte në listën e kandidatëve të mundshëm për nënpresident. Në programin“This Week” të rrjetit televiziv ABC, zoti Pawlenty tha se Paul Ryan do të jetë në gjendje të shpjegojë nevojën për reforma thelbësore në programet e shtrenjta sociale.

“Është një debat i madh dhe i rëndësishëm. Por ndryshe nga presidenti, ata vërtetë janë të gatshëm të udhëheqin, ata vërtetë janë të gatshëm të dalin me propozime specifike dhe unë mendoj se publiku amerikan do ta respektojë dhe vlerësojë këtë”.

Republikanët shpresojnë se zgjedhja e ligjvënësit Paul Ryan do t’i japë një shtysë zotit Romney në sondazhet e opinionit publik. Sondazhet e fundit tregojnë se Presidenti Obama ka shtuar epërsinë ndaj zotit Romney në disa shtete të papërcaktuara.

XS
SM
MD
LG