Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë mbetur “tepër të zhgënjyer” nga vendimi i Rusisë për t’i dhënë strehim politik për një vit Edward Snowden-it, i cili akuzohet se ka nxjerrë sekrete të qeverisë amerikane. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kent Klein, njofton nga Shtëpia e Bardhë, ku zyrtarët po diskutojnë se si të përgjigjen.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, tha dje se vendimi i Rusisë për t’i dhënë strehim Snowden-it minon qendrimin e Rusisë në bashkëpunimin në fushën e ligjit me Shtetet e Bashkuara.
"Ne jemi tepër të zhgënjyer që qeveria e Rusisë mori këtë vendim, megjithë kërkesat tona të qarta dhe të ligjshme, publikisht dhe privatisht, për ta dëbuar zotin Snowden dhe kthyer në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat që janë ngritur ndaj tij”.
Ish kontraktori i Agjencisë së Sigurimit Kombëtar amerikan ka qendruar gjatë gjashtë javëve të fundit në aeroportin e Moskës. Presidenti rus, Vladimir Putin, injoroi kërkesën e administratës Obama që Snowden të kthehej në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat për spiunazh lidhur me zbulimin e praktikës së përgjimit të amerikanëve.
Carney e përshkroi Snowden-in si rrezik për sigurinë, pasi ka patur informacion sekret si për Kinën ashtu edhe për Rusinë.
"Zoti Snowden nuk është një njeri i zakonshëm që ngre zërin për çfarë i duket e parregullt. Ai akuzohet për dekonspirimin e informacionit sekret dhe është akuzuar për tri krime, prandaj ai duhet të kthehet në Shtetet e Bashkuara sa më parë, ku do të gjykohet dhe mbrohet në bazë të ligjit”.
Vendimi i Moskës i acaron edhe më tej marrëdhëniet SHBA-Rusi, të cilat janë tensionuar për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me Sirinë dhe çështje të tjera.
Carney tha se këshilltarët janë duke diskutuar nëse Presidenti Barak Obama do të takohet me Presidentin Putin në Rusi, takim që përkon me takimin e G20-s në mujin shtator në Shën Petërburg.
"Nuk kam ndonjë njoftim sot për ju lidhur me itinerarin, por është e qartë, se ky nuk është një zhvillim pozitiv. Ne kemi një sërë interesash të përbashkëta me rusët dhe po vlerësojmë rëndësinë e takimit të nivelit të lartë”.
Carney tha se Rusia nuk e njoftoi administratën Obama për vendimin e saj për t’i dhënë strehim Snowden-it.
Ai tha se kjo nuk është vetëm një çështje ligjore, por edhe një çështje në marrëdhënist mes Shteteve të Bashkuar adhe Rusisë.
Megjithatë, zëdhënësi i presidentit i quajti marrëdhëniet mes dy vendeve “të gjera dhe të rëndësishme”. Carney tha se përfitimi në angazhimin me Rusinë ka qënë i vlefshëm edhe pse është shoqëruar me konflikte dhe mosmarrëveshje.
Ai tha se zyrtarët në Uashington do të vazhdojnë diskutimet për çështjen Snowden me homologët e tyre në Moskë.
Disa ligjvënës amerikanë i kanë bërë thirrje presidentit të marrë masa të rrepta ndaj Rusisë, duke përfshirë edhe mundësinë e bojkotimit nga ekipi amerikan i Lojrave Olimpike Dimërore në Soçi vitin e ardhshëm.