Presidenti Obama ka zhvilluar tubime në disa universitete amerikane në përpjekje për të ringjallur entuziazmin, që ai nxiti mes të rinjve gjatë fushatës presidenciale para 2 vjetësh. Por papunësia e lartë dhe vështirësi të tjera ekonomike po ndikojnë negativisht tek entuziami për të marrë pjesë këtë nëntor në zgjedhje, madje kjo është veçanërisht e vërtetë për demokratët, të cilët përveç Shtëpisë së Bardhë, kanë kontrollin edhe në të dyja dhomat e Kongresit.
Votuesit e moshës nën 30 vjeçare morën pjesë në numra rekord në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008 dhe 2 e treta e tyre votoi për zotin Barak Obama.
Zach Howell, kryetar i Komitetit Kombëtar Republikan të Kolegjeve, mban mënd kohën e vështirë për studentët republikanë para 2 vjetësh.
"Në atë kohë, nuk ishte diçka e mirë të ishe republikan në universitet, ishte diçka tabu dhe të rinjtë konservatorë viheshin në lojë. Dhe si rezultat shumë prej tyre sikur u fshehën për pak kohë në vitin 2008. Këtë vit, është një atmosferë krejt ndryshe. Studentët republikanë po punojnë shumë, ata e identifikojnë veten me krenari si konservatorë dhe si republikanë".
Tani që anketat e opinionit tregojnë se demokratët ka të ngjarë të humbasin vende në Kongres, Presidenti Obama po u bën thirrje të rinjve të votojnë më 2 nëntor për kandidatët demokratë.
Duke folur kohët e fundit para rreth 35 mijë njerzve në Universitetin Shtetror të Ohajos, presidenti e pranoi se kandidatura për Shtëpinë e Bardhë ishte shumë më joshëse se sa puna e vështirë për të qeverisur.
"Tani ne nuk flasim thjeshtë për ndryshime, nuk bëjmë thjeshtë thirrje për ndryshime, por po bëjmë punën e vështirë për t’i bërë realitet këto ndryshime. Disa herë është e vështirë, por ndryshimet po vijnë pak nga pak, çdo ditë. Nuk është e lehtë dhe të më besoni për këtë, jam më se i vetëdijshëm se ndryshimet nuk janë të lehta".
Presidenti u bëri thirrje të rinjve që të rikthejnë frymën e vitit 2008, dhe të vazhdojnë punën për ndryshime.
Heather Smith është drejtoreshë ekzekutive e organizatës jo partiake, "Rock the Vote," e cila përpiqet të regjistrojë të rinjtë të votojnë. Ajo thotë se shumë të rinj, me të cilët ajo ka folur, janë skeptikë rreth vemendjes pa pritur, që presidenti po u kushton atyre.
"...Reagimi fillestar i këtyre studentëve ishte, 'Ku ke qënë deri tani, ne menduam se ishim bashkë, ne votuam, punuam shumë dhe kemi qënë në pritje të rolit udhëheqës, ku ke qënë deri më sot?"
Sipas një ankete të opinionit e kryer nga qendra kërkimore Pew, vetëm 27 për qind e demokratëve të rinj thonë se do të marrin pjesë në zgjedhjet e 2 nëntorit. Mes republikanëve të rinj, kjo shifër është 39 për qind. Udhëheqësi republikan Zach Howell thotë se vendet e punës janë çështja kryesore për votuesit e rinj.
"Çdo gjë ka lidhje me ekonominë, që është çdo gjë për ta. 20 për qind e të diplomuarve nuk janë në gjendje të gjejnë punë, pra të rinjtë janë të shqetësuar rreth së ardhmes së tyre, madje nuk kanë aq besim sa pjesa më e madhe e brezave në të kaluarën".
Heather Smith e organizatës "Rock the Vote," thotë se pa dyshim që të rinjtë janë të shqetësuar rreth së ardhmes dhe ka arsye se pse një përqindje më e vogël e tyre votojnë krahasuar me më të moshuar.
"Ata janë të rinj në këtë proces dhe për shumicën e tyre ata së pari duhet të regjistrohen në mënyrë që të votojnë. 9 milion amerikanë kanë mbushur 18 vjeç që nga zgjedhjet e 2008-tës. Ata duhet të regjistrohen që të votojnë, ndërkohë që nuk kemi një infrastrukturë që t’ua bëjmë atyre të lehtë".
Gjatë manifestimit të kohëve të fundit i quajtur "One Nation" në kryeqytetin Uashington, studenti dhe përkrahësi i Partisë Demokrate, Lance Pyburn e pranoi se ishte paksa i shqetësuar rreth zgjedhjeve të këtij viti.
"... Për një farë kohe nuk dukej aq mirë sa shpresonim. Por pas këtij manifestimi, ku shikoj një pjesëmarrje të mirë dhe mbështetje për kauzën tonë, me të vërtetë mendoj se do të mbetemi si të habitur edhe të kënaqur me rezultatin e 2 nëntorit".
Demokratët po i mbajnë shpresat për surpriza të mëdha në mbrëmjen e 2 nëntorit, ndërkohë që të dy partitë politike po shpresojnë se votuesit e rinj do të dalin në masë që të votojnë për kandidatët e tyre.