Lidhje

Mediat amerikane denoncojnë “luftën e ulët ndaj shtypit” nga Presidenti Trump


Rreth 350 organizata mediash në mbarë Shtetet e Bashkuara botuan dje artikuj redaksionalë, ku i dilnin në mbrojtje lirisë së shtypit dhe i kundërviheshin sulmeve të Presidentit Donald Trump ndaj medias. Në vazhdim ju njohim me mendimin e disa ekspertëve të medias lidhur me merrëdhëniet e Presidentit Trump me mediat:

Të enjten tek muzeumi që i dedikohet mbrojtjes së lirisë së shtypit në Uashington, i njohur si “Newseum”, vizitorët krijuan një ide për atë që disa e shohin si një kundërpërgjigje masive ndaj akuzave për lajme të rreme.

Mbi 300 grupe mediatike janë bërë pjesë e një përpjekjeje të organizuar nga gazeta “Boston Globe”, për botimin e artikujve redaksionalë të koordinuar, ku denoncohet ajo që gazeta e cilëson “një luftë e ulët kundër shtypit të lirë”.

“Arsyeja përse ata janë duke i botuar artikujt redaksionalë është ngaqë kritikat ndaj shtypit kanë qenë të hapura, të vazhdueshme dhe kjo është një lloj kundërpërgjigjeje nga ana e tyre, për edukimin e publikut amerikan lidhur me rëndësinë e shtypit të lirë.”- thotë Lata Nott, drejtore e Qendrës për Amendamentin e Parë.

Sulmet e Donald Trumpit ndaj medias, që ai e ka cilësuar si “armikun e popullit”, kanë qenë një temë e zakonshme gjatë presidencës së tij.

Komentet e Presidentit kanë shkaktuar kritika, se ai nuk e vlerëson rolin medias së pavarur në demokraci. Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders, e hedh poshtë këtë akuzë dhe vazhdon të fajësojë median:

“Sinqerisht, në se duam t’i hedhim një vështrim se kush krijon përçarje, unë mendoj se media ka bërë më tepër për ta ndarë vendin tonë, shumë më tepër se sa Presidenti,”- tha ajo.

Trump shpesh i quan mbulimeve negative për të, si “lajme të rreme”.

Republikanët janë më të prirur ta shohin negativisht median. Një anketë e kohëve të fundit e grupit kërkimor “Ipsos”, tregon se 4 në 5 republikanë besojnë se media në përgjithësi e trajton padrejtësisht Presidentin Trump.

Por, sipas një ankete të kohëve të fundit të firmës “Gallup” qëndrimi negativ i amerikanëve ndaj medias nuk është krijuar medoemos nga Presidenti Trump.

“Kur i hedh një vështrim shifrave të përgjithshme, nuk sheh ndryshime të mëdha në perceptimin e Amerikës ndaj mediave. Media mund ta ketë shtuar paksa këtë perceptim, ngaqë demokratët kanë marrë pozita pak më mbrojtëse për shtypin; por më duhet të theksoj se kemi parë qëndrime

tepër negative ndaj mediave për disa vite, para se Donald Trump të kishte menduar të kandidonte për postin e Presidentit,”- thotë Frank Newport, kryeredaktor i firmës anketuese “Gallup”.

Por aktivistët vazhdojnë të ndjejnë shqetësim për ndikimin që mund të kenë tek debati publik, akuzat e Presidentit Trump për “lajme të rreme”.

“Efekti i përgjithshëm, është se e bën të vështirë që të ketë diskutime serioze politike në Shtetet e Bashkuara, ngaqë njerëzit që e duan Presidentin Trump, të cilët në fakt i marrin seriozisht ato që ai thotë, edhe pse një pjesë e madhe nuk janë të vërteta, nuk janë në gjendje të angazhohen në një debat real me pjesën tjetër të publikut, që e kupton ndryshe realitetin aktual,”- thotë Rob Weisman i grupit “Public citizen”.

Antipatia ndaj shtypit ka ngritur edhe shqetësime për sigurinë. Sipas grupit që ndjek Lirinë e Shtypit të Shtetet e Bashkuara, gjatë këtij viti janë kryer sulme ndaj 31 gazetarëve amerikanë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG