Lidhje

SHBA, gazetarët përgatiten për sulme gjatë protestave


Punonjësit e medave, në rrjeshtin mbrapa, duke bërë punën e tyre ndërsa protestuesit pro-Presidentit Trump mblidhen për të kontestuar çertifikimin e rezultateve zgjedhore nga Kongresi (6 janar 2021)
Punonjësit e medave, në rrjeshtin mbrapa, duke bërë punën e tyre ndërsa protestuesit pro-Presidentit Trump mblidhen për të kontestuar çertifikimin e rezultateve zgjedhore nga Kongresi (6 janar 2021)

E përballur me një burrë pa maskë që kërcënonte se do ta qëllonte me armë, Amanda Andrade-Rhoades u gjend në vështirësi.

Foto-reporterja po punonte për gazetën "The Washington Post" të mërkurën e kaluar, ndërsa mbështetësit e Presidentit Donald Trump filluan trazirat tek Kapitoli i Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që Kongresi votonte për të çertifikuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Burri në fjalë ishte i gjatë dhe në moshë më të vjetër, me mustaqe dhe një xhaketë kafe të zbehtë, i tha Zërit të Amerikës zonja Andrade-Rhoades. Duke iu afruar pak centimetra pranë fytyrës, ai i tha: "Nesër do të kthehem me armë dhe do të kthehem për ty".

Ajo kishte pak mbrojtje - pa jelek antiplumb dhe pa njerëz përreth që ta ndihmonin - dhe nuk pa ndonjë arsye për ta vazhduar konfliktin. Ajo u largua.

Deri në fund të ditës, zonja Andrade-Rhoades thotë se u godit nga katër plumba gome - tre në këmbë dhe një në mes - ndërsa policia përplasej me protestuesit e dhunshëm, dhe tre persona e kërcënuan se do ta qëllonin me armë.

Ajo është vetëm një ndër disa gazetarë që thanë se u sulmuan apo u kërcënuan nga protestuesit të mërkurën e kaluar. Pamjet filmike treguan se si turmat përplasnin në tokë paisjet e ekipit të agjencisë së lajmeve Associated Press, duke i sulmuar dhe duke u bërtitur gazetarëve, dhe duke e zvarritur mbrapsht një gazetar mbi një ledh. Mbi një derë brenda Kapitolit, dikush kishte shkruajtur "Vdekje Mediave".

Mbështetësit e Presidentit Trump qëndrojnë pranë paisjeve të shkatërruara të mediave (Kapitol, 6 janar 2021)
Mbështetësit e Presidentit Trump qëndrojnë pranë paisjeve të shkatërruara të mediave (Kapitol, 6 janar 2021)

"Gjurmuesi i Lirisë së Shtypit në Shtetet e Bashkuara", një koalicion i aktivistëve të fjalës së lirë, organizatave të lajmeve dhe grupeve të aktivizmit të gazetarisë, po heton rreth 15 sulme dhe pesë arrestime ose ndalime të gazetarëve në mbarë Shtetet e Bashkuara.

Michael Sherwin, ushtruesi i detyrës së prokurorit për Distriktin e Kolumbias, tha të martën se zyra e tij do të hetojë dhe ndjekë penalisht dhunën ndaj gazetarëve.

"Njerëzit nuk dinë se disa prej atyre protestuesve vunë posaçërisht në objektiv anëtarët e mediave dhe i sulmuan ata", tha zoti Sherwin në një konferencë për shtyp, duke shtuar se ai kishte ngritur një grup pune për t'u përqëndruar tek sulmet ndaj mediave.

Sulmet vijnë pas një viti armiqësie të pashoqe ndaj shtypit në Shtetet e Bashkuara; shumica ndodhën ndërsa media mbulonte tubime që bënin thirrje për barazi racore pas vdekjes së George Floyd-it, një afrikano-amerikan i vrarë ndërsa mbahej nga policia në Minneapolis, si dhe përplasjet me policinë dhe protestuesit.

Një punonjëse e mediave duke u ndihmuar nga një infermiere protestuese pas përdorimit të gazit nga policia gjatë protestave për vrasjen e afrikano-amerikanit George Flloyd
Një punonjëse e mediave duke u ndihmuar nga një infermiere protestuese pas përdorimit të gazit nga policia gjatë protestave për vrasjen e afrikano-amerikanit George Flloyd

"Gjurmuesi i Lirisë së Shtypit në Shtetet e Bashkuara" dokumentoi më shumë se 325 sulme kundër gazetarëve në vitin 2020 dhe 123 arrestime - deri tani shifra më e lartë që kishte regjistruar në një vit. Po punohet gjithashtu për të verifikuar rreth 200 incidente shtesë që ndodhën vitin e kaluar, i tha Zërit të Amerikës redaktorja kryesore Kirstin McCudden.

Tani, gazetarët dhe redaksitë po përballen me një realitet shqetësues: Shtetet e Bashkuara po bëhen një vend gjithnjë e më i rrezikshëm për të qenë gazetar. Dhe ata kanë filluar të marrin masa paraprake shtesë për t'u siguruar që gazetarët janë të sigurt.

"Ne nuk duhet ta bëjmë punën tonë me frikë", tha zonja Andrade-Rhoades. "Por kështu janë gjërat tani".

Armiqësi e përhapur

Armiqësia nuk ishte e kufizuar në kryeqytet. Të mërkurën e kaluar, Rick Egan ishte duke fotografuar një tubim të mbështetësve të Presidentit Trump në kryeqytetin e shtetit Jutah, për gazetën "The Salt Lake Tribune".

Në një moment, një burrë bërtiti në megafon pranë fytyrës së tij, "Shiko ti dhe maska jote, more [sharje]".

Brenda pak minutash, i njëjti burrë u kthye, këtë herë duke spërkatur lëndë piperi djegës në sytë e tij.

"Unë nuk i bëra asgjë. Ishte krejtësisht nga hiçi", tha zoti Egan. "Thjesht gjëja më e çuditshme, më e çmendur që kam hasur në punën time si gazetar".

Në rrëfimet në person të shpërndara gjerësisht në mediat sociale dhe në faqet online në Shtetet e Bashkuara, disa reporterë i krahasuan ngjarjet me ditët e tyre si korrespondentë lufte.

Gazetarët thonë se ata janë mësuar me armiqësi të shtuar në vitet e fundit, me njerëz që i ofendojnë ose i shtyjnë. Por këto incidente "as nuk i afrohen asaj që ndodhi" javën e kaluar, tha zoti Egan.

Zonja Andrade-Rhoades tha se ajo mendon se armiqësia është pjesërisht për shkak të "retorikës nxitëse", përfshirë edhe nga presidenti, i cili ka pasur një marrëdhënie të tensionuar me segmente të mëdha të shtypit, të cilin ai e ka etiketuar rregullisht si "lajme të rreme" dhe "armik i popullit".

Presidenti Trump dhe shumë nga mbështetësit e tij besojnë se mediat kryesore kanë qenë të njëanshme në raportimin për të dhe se po përpiqen të delegjitimojnë presidencën e tij me një mbulim tepër kritik. Një rritje e dezinformimit në mediat sociale ka dobësuar më tej besimin tek mediat.

Zoti Egan ka vërejtur një ndryshim të ngjashëm në retorikë gjatë katër viteve të fundit. Kohët e fundit, tha ai, njerëzit e fyejnë atë për shkak të mbajtjes së maskës.

"Mund të jetë një grup [njerëzish] ... të mërzitur për shkak të detyrimit të veshjes së maskave, dhe ata ende na sulmojnë dhe verbalisht bërtasin dhe ulërasin", tha ai. "Është thjesht çmenduri. Nuk ka ndodhur kurrë më parë. Unë kurrë nuk shqetësohesha për sigurinë time".

Mbajtja e maskave është bërë një pikë e ndezur e zemërimit në të gjithë botën, me njerëzit në njërën anë që e shohin atë si një masë të nevojshme për të tentuar parandalimin e përhapjes së koronavirusit, dhe të tjerët që e shikojnë atë si një përpjekje për të kufizuar liritë e tyre.

Një nxitje për masa sigurie

Ndërsa protestat që bënin thirrje për barazi racore u bënë më intensive, zonja Andrade-Rhoades investoi në pajisje mbrojtëse.

Gazeta "The Salt Lake Tribune", ku zoti Egan punon, urdhëroi komplete sigurie të mërkurën e kaluar për stafin. Paketat përfshijnë veshje mbrojtëse, si p.sh. doreza mbrojtëse dhe ka plane për të porositur helmeta për personelin.

Gazetarët po marrin pjesë gjithashtu në trajnime më zyrtare.

"Ata na duan në vijën e parë të frontit. Ata duan që ne të tregojmë këto histori", tha zoti Egan. "Por ata duan që ne të jemi të sigurt".

Frank Smyth është drejtori ekzekutiv i "GJS Security", një kompani amerikane që ofron trajnim për ambientet armiqësore dhe për ndihmën e shpejtë në rrethana emergjence. Kompania thotë se trajnimet arritën kulmin në vitin 2020 ndërsa gazetarët u përballën me situata më të rrezikshme.

Programi mësimor i kompanisë përfshin trazirat civile, taktikat e policisë me shtypin dhe një kurs një-orësh mbi "ndalimin e gjakrrjedhjes" - në thelb, ndihma e shpejtë në rrethana emergjence.

Kompania filloi të ofrojë trajnime për trazira civile për gazetarët që mbulojnë Shtetet e Bashkuara në vitin 2016. Ata ofruan disa dhjetëra seanca trajnimi dhe deri në vitin 2020 kishin kryer më shumë se dyfishin e trajnimit sesa katër vjet më parë, tha zoti Smyth.

Por zoti Smyth, i cili është autor i një raporti të UNESCO-s mbi rreziqet në rritje për mediat që mbulojnë protestat në të gjithë botën dhe kompania e të cilit zakonisht përqendrohet në trajnimin e reporterëve që punojnë në vende të tilla si Iraku, Afganistani dhe Venezuela, nuk ndjehet krenar për rritjen e biznesit.

"Fakti që kjo po ndodh këtu në vendin tonë është alarmues", i tha ai Zërit të Amerikës. "Më trishton që jemi në këtë situatë. Më trishton që njerëzit kanë nevojë për trajnim për të operuar në Shtetet e Bashkuara".

Fondacioni Ndërkombëtar i Mediave të Grave (IWMF) gjithashtu ofron trajnime - duke ofruar kurse për 1'096 gazetarë vitin e kaluar, tha koordinatorja e programit Maria Alejandra Silva Ortega. Kjo është një rritje eksponenciale nga 122 persona që ata trajnuan në vitin 2019 - diçka që ajo ia atribuon si qasjes tek këto klasa gjatë pandemisë COVID-19, ashtu edhe kërkesës së rritur.

"Redaksitë e lajmeve po e kuptojnë se ata gjithashtu kanë përgjegjësinë për të garantuar sigurinë e gazetarëve të tyre", i tha ajo Zërit të Amerikës.

Për zotin Smyth, kërkesa në rritje është shqetësuese dhe ai është i shqetësuar për sigurinë e ardhshme të gazetarëve në Shtetet e Bashkuara.

"Shtetet e Bashkuara janë tani një mjedis armiqësor për shtypin. Unë nuk mendoj se kjo është diçka e ekzagjeruar për t'u thënë", tha ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG