Lidhje

Serbia kërkon nga OKB hetime për trafikimin e organeve


Serbia kërkon nga OKB hetime për trafikimin e organeve
Serbia kërkon nga OKB hetime për trafikimin e organeve

Serbia i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të autorizojë një hetim të pavarur për akuzat që disa qytetarë të saj janë vrarë nga grupe shqiptarësh në Kosovë për t’iu marrë organet gjatë konfliktit në fund të viteve 90-të. Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Kombeve të Bashkuara, Margaret Beshir, na sjell hollësi.

Akuzat nuk janë të reja. Ish kryeprokurorja e gjykatës së Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës, Karla Del Ponte shkruan për këtë në kujtimet e saj, të botuara në vitin 2008. Por ato janë ngritur përsëri, pas raportit që paraqiti në muajin dhjetor në Këshillin e Evropës raportuesi, Dik Marti, i cili tha se Hashim Thaçi, i cili është tani Kryeministër i Kosovës, komandonte një fraksion të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fund të viteve 90-të që drejtonte një rrjet të krimit të organizuar, i cili thuhet se mblidhte organe të të burgosurve të vrarë serbë. Të tjerë udhëheqës të lartë të Kosovës përmenden në raportin e Martit si të implikuar në këtë veprimtari.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremic, tha mbrëmë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se një hetim i pavarur i këtyre akuzave është “esencial”.

"Një hetim i tillë duhet autorizuar nga ndërkombëtarët dhe raportuar ndërkombëtarëve. Në proces duhen mbrojtur mirë dëshmitarët, qoftë edhe nëpërmjet një programi për risistemimin e tyre me banim, po të jetë e nevojshme, për të garantuar dëshmi të besueshme nga të gjithë”.

Qeveria e Kosovës dhe Zoti Thaçi kanë hedhur poshtë kategorikisht akuzuat, duke thënë se ato nuk janë gjë tjetër veç shpifje me motive politike kundër udhëheqjes së vendit dhe një përpjekje për të minuar pavarësinë tri vjeçare të Kosovës nga Serbia.

Ministrja e Jashtëme në detyrë, Vlora Çitaku, ritheksoi kundërshtimin e fortë të qeverisë së saj ndaj këtyre akuzave. Ajo vuri në dukje se akuzat janë trajtuar nga faktori ndërkombëtar para Gjykatës Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë dhe Misionit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, UNMIK, por shtoi se Prishtina do të mirëpriste hetime të mëtejshme nga EULEX-i.

"Qeveria e Kosovës dëshiron të riafirmojë qendrimin e saj zyrtar se përballë këtyre akuzave serioze do të këmbëngulë për një hetim korrekt dhe të hollësishëm nga prokutorët e EULEX-it në terren. EULEX-i i cili është i ngarkuar nga Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për të mbështetur sistemin juridik vendas, ka ekspertizën, burimet, prokurorët dhe gjykatësit për të hetuar imtësisht akuzat e paraqitura. Ne do t’u garantojmë atyre bashkëpunimin tonë të plotë”.

I dërguari i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Lamberto Xanier, tha gjithashtu se EULEX-i ka ekspertizën dhe juridiksionin për ta trajtuar këtë çështje. EULEX-i ka thënë se prokurorët e tij i kanë hapur tashmë hetimet paraprake për akuzat dhe u kanë bërë thirrje organizatave dhe individëve të interesuar, përfshirë edhe Dik Martin, të paraqesin të dhënat që kanë lidhur me akuzat.

Ministri i Jashtëm i Serbisë tha se hetimet e EULEX-it nuk do të jenë në vetvete efikase, pasi misioni nuk mund të veprojë jashtë Kosovës dhe se akuzat duket se shtrihen përtej saj, duke përfshirë vende të Evropës, Azisë dhe Afrikës.

Shumica e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara thanë se do të mbështesnin EULEX-in në hetimin e akuzave, por nuk e panë të nevojshme për hapjen e një hetimi paralel. Rusia si aleate e ngushtë e Serbisë bëri përjashtim, duke thënë se mbështet idenë e hetimeve ndërkombëtare në varësi të Kombeve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG