Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Donald Trump mendon se mund ta shkarkojë prokurorin e posaçëm Robert Mueller, por nuk do ta ndërmarrë këtë hap tani.
Kjo sipas sekretares së shtypit Sarah Huckabee Sanders, e cila u tha të martën gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se zoti Trump “sigurisht që beson se e ka kompetencën ''për ta shkarkuar zotin Mueller”, i cili po heton për një bashkëpunim të mundshëm të fshehtë të fushatës së zotit Trump me Rusinë dhe rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016-s.
Zonja Sanders tha se Presidenti beson se hetimi i prokurorit të posaçëm Mueller “ka shkuar tepër larg” pas bastisjes nga agjentët federalë të zyrave të avokatit të tij personal Michael Cohen. Bastisja u krye të paktën pjesërisht bazuar në një referim që ekipi i zotit Mueller i dërgoi një prokurori federal në Nju Jork.
Sipas rregulloreve të Departamentit të Drejtësisë, vetëm Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili mbikëqyr hetimin për Rusinë, mund ta shkarkojë zotin Mueller.
Numri dy i republikanëve të Senatit, John Cornyn i Teksasit, thotë se është i bindur se Presidenti Donald Trump nuk do ta shkarkojë prokurorin e posaçëm Robert Mueller.
Ai tha se ligjvënësit i kanë lënë të kuptohet Shtëpisë së Bardhë se shkarkimi i zotit Mueller do të ishte gabim. Senatori Cornyn thotë se pret që zoti Mueller do të jetë në gjendje ta përfundojë hetimin e tij rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 dhe se shkarkimi i tij “do të kishte pasoja", që as presidenti nuk mund t’i parashikonte dot.”
Kryetari i Komisionit Juridik të Senatit Chuck Grassley tha se do të ishte "vetëvrasje" politike për presidentin Donald Trump nëse e shkakron prokurorin e posaçëm.
PRESIDENTI, I ZEMËRUAR ME PROKURORIN E POSAÇËM
Mueller shkaktoi zemërimin e Presidentit me nxjerrjen e një autorizimi nga gjykata për të kontrolluar zyrën e avokatit personal të zotit Trump, Michael Cohen. Të hënën, gjatë bastisjes së zyrës së tij FBI-ja konfiskoi dokumente, përfshirë ato që lidhen me marrëdhënien e dyshuar të zotit Trump me një aktore filmash pornografikë.
Zoti Trump e quajti bastisjen me miratimin e zotit Mueller, në zyrën e avokatit Michael Cohen, "një situatë të turpshme, sulm ndaj vendit dhe një nivel të ri ku ka arritur padrejtësia".
“Përse nuk e shkarkoj Mueller-in? Mendoj se është një turp ajo që po ndodh. Është me të vërtetë një situatë e trishtuar kur sheh se çfarë po ndodh. Shumë njerëz më kanë thënë se duhet ta shkarkoj. E përsëris, ata nuk gjetën asgjë ”, tha Presidenti Donald Trump.
Por hetimi vazhdon dhe Prokurori i Posaçëm nuk ka bërë komente publike ndaj zotit Trump, sa i takon hetimit mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje.
Sipas gazetës “The Washington Post” të hënën vonë, zoti Cohen "ndodhet nën hetim federal për mashtrim të mundshëm bankar, transferta elektronike të paligjshme si dhe shkelje të ligjit për financimin e fushatës, bazuar tek të dhënat e marra nga një person që ka dijeni mbi çështjen".
FBI-ja bastisi dje zyrën e zotit Cohen në Nju Jork dhe konfiskoi dokumente, përfshirë ato që lidhen me marrëdhënien e dyshuar të zotit Trump me një yll filmash për të rritur.
Ditë përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, zoti Cohen i pagoi aktores Stormy Daniels 130 mijë dollarë me qëllim garantimin e heshtjes së saj për një lidhje të dyshuar me zotin Trump në vitin 2006. Por presidenti Trump thotë se nuk ishte në dijeni të pagesës.
Gazetari: A ishit në dijeni të pagesën prej 130 mijë dollarësh për Stormy Daniels?
Zoti Trump: Jo!
Gazetari: Atëherë pse e pagoi Michael Cohen atë shumë, nëse akuzat nuk janë të vërteta?
Zoti Trump: Duhet të pyesni Michael Cohen-in. Michael është avokati im. Duhet të pyesni atë!
Disa ekspertë ligjorë besojnë se pagesa e bërë nga zoti Cohen mund të ketë qenë një kontribut i paligjshëm për fushatën me qëllimin për të garantuar heshtjen e Stormy Daniels-it, komentet e së cilës ndoshta mund të shkatërronin shanset e zotit Trump për t'u zgjedhur.
Facebook Forum