Demokrati më i lartë në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë tha se hetimet e Kongresit për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 do të vazhdojnë pavarësisht thirrjeve të fundit që hetuesit të përfundojnë punën e tyre. Në një intervistë për shërbimin serb të Zërit të Amerikës, senatori Ben Cardin tha se hetuesit nuk do të pengohen nga thirrja e fundit e Presidentit Donald Trump për një përfundim të hetimit për ndikimin rus mbi zgjedhjet dhe nëse fushata e tij bashkëpunoi në mënyrë të fshehtë me Moskën.
"Nuk mendoj se ka ardhur fundit”, i tha senatori demokrat Ben Cardin Zërit të Amerikës duke u përgjigjur për komentet e presidentit Trump të hënën se “populli amerikan është i lodhur me hetimin për ndërhyrjen ruse”.
"Çdo ditë dalin informacione të reja. Është e qartë se Rusia u përpoq të ndërhynte në zgjedhjet tona – ata përdorën në mënyrë të qartë hakerimin në internet, duke favorizuar njërin kandidat, presidentin Trump. Tani ka gjithnjë e më shumë tregues se ata mund të kenë përdorur, me vetëdije apo pa dijeninë e tyre, njerëz në vendin tonë. Ata ishin të angazhuar qartësisht në mënyrë aktive në internet duke blerë reklama. E gjithë kjo po del në sipërfaqe."
Senatori tha se komentet e fundit të presidentit Trump që përkuan me thirrjet nga një numër në rritje i republikanëve për të përfunduar hetimet deri në fund të këtij viti, nuk do të kufizojnë hetimet e kongresit. ((http://www.cnn.com/2017/10/18/politics/republicans-congress-russia-investigation/index.html ))
"Ne nuk dimë rreth hetimeve të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller, pasi ato do të njekin kurin e tyre. Por përsa i përket hetimit të kongresit, nuk kemi afat kohor, por e dimë se ky nuk do të jetë fundi i interest të kongresit për hetimet. Pra jo, nuk jemi ende në fund të hetimeve."
Muajin e kaluar, senatori Cardin shkroi një letër së bashku me senatorin republikan të Arizonës John McCain ku i bënte thirrje presidentit Trump të zbatojë me forcë një seri të re sanksionesh që pasi morën mbështetje të fuqishme dypartiake, e autorizojnë presidentin të dënojë Moskën për ndërhyrjet në fushatën amerikane 2016.
Në letër (( http://www.politico.com/f/?id=0000015e-cf17-d73c-a1fe-ff17a7b30000 )), senatorët paralajmëruan presidentin Trump se në se nuk i zbatonte sanksionet e miratuara, kjo do të detyronte Kongresin të fillonte rishikimin e çdo zbutje të sanksioneve mbi Rusinë.
Në një fjalim të fundit, zoti McCain dënoi politikat izolacioniste dhe nacionalizmin që sipas tij kërcënon udhëheqjen globale të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, Evropën Lindore dhe për çështje si ngrohja globale. I pyetur në se ndan të njëjtat shqetësime si senatori McCain rreth lëvizjes së administratës Trump larg rolit drejtues global të Shteteve të Bashkuara, zoti Cardin tha se ligjvënësit po punojnë për ta ruajtur këtë rol.
"Kongresi po merr hapa që kjo të mos ndodhë. Por kur presidenti Trump thotë ‘Amerika e para’ apo tërheqja e Amerikës, kjo lë një boshllëk që lojtarë të tjerë mund ta mbushin. Jemi të shqetësuar se Rusia dhe Kina po përpiqen ta mbushin këtë boshllëk. Dimë gjithashtu se presidenti disa here ka sfiduar partneritetin transatlantik. Ky partneritet ka qënë shumë i rëndësishëm për lidershipin global të Shteteve të Bashkuara dhe ne duam të sigurojmë që ta përforcojmë atë.
"Pra, shumë prej deklaratave të presidentit janë kundërshtuar nga Kongresi dhe janë kundërshtuar nga politikat që ai ka zbatuar," shtoi zoti Cardin. "Jemi të sigurtë se Amerika do të vazhdojë udhëheqjen e saj globale. Ajo është shumë e rëndësishme për sigurinë kombëtare të Amerikës dhe avancimin e qëllimeve globale të qeverisjes së mirë, demokracisë, anti-korrupsionit dhe luftës për të drejtat e njeriut. Për të gjitha këto, mendoj se, bashkësia globale ka nevojë për udhëheqja amerikane ".
Facebook Forum