Lidhje

Richard Grenell, drejtor në detyrë i Zbulimit Kombëtar


Presidenti Trump konfirmoi se po emëron ambasadorin amerikan në Gjermani Richard Grenell si Drejtor në detyrë të Zbulimit Kombëtar.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha Zërit të Amerikës se ai do të vazhdojë të mbajë edhe postin e Ambasadorit në Gjermani. Richard Grenell është i dërguar i Presidentit Trump për bisedimet Kosovë Serbi.

Presidenti e bëri njoftimin të mërkurën vonë në Twitter, pak orë pasi lajmi u bë i ditur nga disa media amerikane.

"Jam i kënaqur të njoftoj se Ambasadori ynë shumë i respektuar në Gjermani, @RichardGrenell, do të bëhet Drejtor në Detyrë i Zbulimit Kombëtar." "Rick (Richard Grenell) ka përfaqësuar vendin tonë jashtëzakonisht mirë dhe mezi pres të punoj me të," shkruante Presidenti Trump në Twitter.

Drejtori i Zbulimit Kombëtar mbikëqyr gjithë komunitetin e inteligjencës amerikane të përbërë nga 16 agjenci dhe bashkëpunon ngushtë me drejtorin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare.

Meqenëse do të jetë drejtor në detyrë i Zbulimit Kombëtar, Grenell nuk ka nevojë për konfirmim nga Senati.

Zoti Grenell tha sot se nuk do të jetë ai që do të emërohet nga Presidenti Trump si drejtor i përhershëm në këtë post. Presidenti, tha zoti Grenell në Twitter, do ta bëjë njoftimin për drejtorin e përhershëm së shpejti, por nuk do të emërojë atë në këtë post.

Richard Grenell ka qenë zëdhënës i SHBA në Kombet e Bashkuara në kohën e Presidentit George W. Bush. Para kësaj ka qenë komentator në shtyp dhe televizion si dhe themelues i një firme për marrëdhënie me publikun.

Ai nuk ka përvojë të drejtpërdrejtë në komunitetin e inteligjencës, por shihet si mbështetës i besnik i presidentit Trump dhe politikave të tij.

Grenell ka folur sidomos hapur në lidhje me ato që ai i quan rreziqe që paraqet biznesi me gjigantin kinez të telekomunikimit Huawei. Ai i ka bërë thirrje Gjermanisë të mos bëhet kliente e Huawei-t për shkak të dyshimeve se kompania instalon në produktet e saj pajisje përgjimi me kërkesë të Pekinit.

Grenell do të jetë anëtari i parë gay i kabinetit në historinë e SHBA.

Ai do të zëvendësojë shefin e tanishëm në detyrë të Zbulimit kombëtar Joseph Macguire i cili pasoi drejtorin e mëparshëm Dan Coats që u shkarkua korrikun e kaluar nga Presidenti.

Presidenti Trump ka pasur një marrëdhënie të tensionuar me komunitetin e tij të inteligjencës pasi ky arriti në përfundimin se Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të 2016-s dhe paralajmëroi në lidhje me kërcënimin që përbën ngrohja globale për sigurinë kombëtare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG