Lidhje

Senati thirrje Dhomës së Përfaqësuesve të miratojë projektligjin mbi sigurinë e fëmijëve në internet


Ndërsa kanë mbetur pak ditë nga fundi i vitit, një projektligj, që e ka mbështetjen e të dy partive, për të mbrojtur fëmijët nga dëmet që shkaktohen nga rrjetet sociale ende nuk është miratuar. Nëse miratohet, Projektligji mbi Sigurinë e Fëmijëve në Internet do të vendoste masa mbrojtëse për të dhënat personale të të miturve në internet. Megjithatë, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson, aktivistët që mbrojnë lirinë e të shprehurit dhe disa republikanë janë të shqetësuar se ligji mund të çojë në censurë.


Rrjetet sociale janë sërish në qendër të vëmendjes në Kapitol. Ndërsa kanë mbetur pak ditë nga fundi i vitit, senatorë nga Partia Republikane dhe ajo Demokrate po i kërkojnë Dhomës së Përfaqësuesve të miratojë Projektligjin mbi Sigurinë e Fëmijëve në Internet.

“Ne kemi ligje që mbrojnë fëmijët nga alkooli, duhani, armët, nga bullizmi kibernetik, kemi ligje që i mbrojnë nga pornografia. Në hapësirën virtuale, nuk i kemi këto ligje”, thotë Marsha Blackburn, senatore republikane.

Zonja Balckburn është një nga hartuesit e projektligjit, i pari që nga viti 1998 që ofron mbrojtje për të miturit në internet.

Megjithatë, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson thotë se ai është i shqetësuar se projektligji do të kufizojë lirinë e të shprehurit.

“Të gjithë e mbështesim parimin e projektligjit. Megjithatë, duhet kujdes për këtë gjë, pasi nuk duhet tepruar me masa kur bëhet fjalë për fjalën e lirë”, thotë zoti Johnson.

Organizatat konservatore, që kërkojnë të kufizojnë kompetencat e qeverisë, janë dakord me zotin Johnson.

“Nuk kam besim që zyrtarët e qeverisë janë në gjendje të marrin vendime të drejta sepse ata janë politikanë dhe ne e kemi parë se çfarë ndodh kur ata e shfrytëzojnë lirinë e fjalës si armë ndaj kundërshtarëve. Kjo është e rrezikshme dhe duhet të ndalohet. Prandaj, ne duhet të gjejmë një mënyrë më të mirë për këtë projektligj dhe të shtojmë masa mbrojtëse te pjesa e zbatimit”, thotë Richard Manning nga organizata “Amerikanët për një Qeverisje të Kufizuar”.

Sipas senatorit demokrat Richard Blumenthal, njërit prej hartuesve të projektligjit, pronari i rrjetit social X, miliardieri Elon Musk ka bashkëpunuar me ligjvënësit për të trajtuar shqetësimet në lidhje me projektligjin.

“Ajo që kemi sqaruar është se nuk ka censurë në këtë projektligj. Nuk parashikohet bllokimi i ndonjë lloj publikimi. Bëhet fjalë për t’u dhënë të rinjve mundësinë për të zgjedhur dhe prindërve të tyre garanci, mjete për të mbrojtur fëmijët e tyre”, thotë senatori Blumenthal.

Kompanitë e teknologjisë Meta dhe Google e kundërshtojnë projektligjin. Presidenti i zgjedhur Donald Trump nuk ka bërë një deklaratë mbi këtë çështje, por djali i tij, Donald Trump Jr., shkroi në X: “Ne mund të mbrojmë fjalën e lirë dhe fëmijët tanë në të njëjtën kohë”.

Zoti Manning thotë se legjislacioni që po shqyrtohet nuk do të funksiononte në praktikë.

“Prokurorët e shteteve të ndryshme do t’i shfrytëzonin udhëzimet që vendosen nga Komisioni Federal i Tregtisë (FTC) për të përcaktuar fjalën e lirë në shtetin e tyre. Si përfundim, në 50 shtete amerikane do të kishim 50 rregulla të ndryshme për përdorimin e internetit”, thotë zoti Manning.

Një version i mëparshëm i projektligjit u miratua në Senat me 91 vota pro dhe 3 kundër. Mbështetësit po inkurajojnë Dhomën e Përfaqësuesve ta miratojë projektligjin përpara fundit të vitit.

XS
SM
MD
LG