Lidhje

Presidenti Obama bën fushatë për demokratët në shtetin Pensillvenia


Presidenti ishte i ftuari special në dy takime për mbledhje fondesh në qytetin Filadelfia për kongresmenin Joe Sestak, ish admiral i forcave detare amerikane të kthyer në politikan i cili gjendet në një dyluftim të ashpër me republikanin Pat Toomey për një vend për në Senatin amerikan si përfaqësues i shtetit të Pensilvanisë.

Kjo është pjesmarrja e parë e presidentit në fushatën e zotit Sestak, i cili pa pëlqimin e Shtëpisë së Bardhë konkuroi dhe mundi Arlen Specter, ish republikanin veteran i cili braktisi partinë e tij dhe u rendit përkrah demokratëve në një garë paraprake më herët këtë vit.

Anketat e opinionit publik tregojnë se zoti Sestak ka një përparësi prej katër deri nëntë përqind ndaj kundërshtarit të tij.

Të dy kandidatët po sfidojnë kredencialet e njëri-tjetrit përmes reklamave televizive. Demokrati Sestak e portretizon kundërshtarin Tommey si një konservator ekstremist i cili nuk ka dijeni për klasën e mesme. Reklamat e republikanit Toomey e lidhin kundërshtarin Sestak me reformën e presidentit Obama për kujdesin shëndetësor për të cilin republikanët thonë se do ta shfuqizojnë.

Ja se çfarë thotë një reklamë e demokratit Sestak.

Pat Toomey, një tregtar në Wall Street i cili shkoi në Kongres dhe votoi për Wall Steet dhe pastaj u pasurua si lobisti kryesor i Wall Street-it. Joe Sestak sherbeu në forcat detare për 31 vjet. Sestak drejtoi një aeroplanmbajtëse me një grup luftark prej 15 mijë marinarësh në luftë dhe u bë admiral me tre yje. Krahasoni cili është më i mirë për Pensilvaninë.

Ndërsa republikani Toomey përgjigjet me një reklamë tjetër.

Kongresmeni Joe Sestak votoi për variantin më ekstrem të marrjes nga Uashingtoni të kujdesit shëndetësor. Ligji i ri për kujdesin shëndetësor e vë qeverinë mes pacientëve dhe mjekëve të tyre. Kjo është një recetë për katastrofë.

Fjalimi i presidentit Obama për Sestak ishte thuajse identik me fjalimet që ai ka mbajtur kohët e fundit për ekonominë dhe në debatin për zgjatjen e shkurtimit të taksave federale. Presidenti tha se rivali republikan i zotit Sestak përfaqëson politika që do ta pengojnë përparimin.

Është ende frika kundër shpresës; është ende e kaluara kundër të ardhmes; është ende zgjedhja ndërmjet kthimit mbrapa apo ecjes përpara. Me këto zgjedhje do të përballeni në nëntor.

Ndërkohë që ai bën fushatë për demokratët në javët që vijnë, zoti Obama pritet të mundohet të tejkalojë skepticizmin e publikut lidhur me politikat e tij. Anketat e opinionit publik tregojnë vlerësime të larta negative lidhur me mënyrën se si presidenti e ka trajtuar ekonominë.

Të hënën në një debat televiziv për stacionin CNBC, zoti Obama tha se prioriteti i tij kryesor mbetet bërja e saj që duhet për ekonominë në planin afatgjatë.

Presidenti Obama dhe nënpresidenti Joe Biden do të bëjnë fushatë për demokratët deri në nëntor, me ndalesa në shtete kyçe si Ohajo, Viskonsin, Nevada dhe përsëri në Pensilvani, ku rezultati mund të përcaktojë kontrollin e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve dhe në të njëjtën kohë edhe guvernatorët e shteteve kryesore.

XS
SM
MD
LG